Hikmete Bajrami: Qeveria e Kurtit i mbron të korruptuarit, ndërsa i ndjekë gazetarët
- Nënkryetarja dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hikmete Bajrami, ka vlerësuar se, me ndjekjen e gazetarëve nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), Qeveria Kurti po e shënon “pikën më të ultë” të demokracisë në vend", njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:15, 25 tetor, 2024
Prishtinë, 25 tetor 2024 (MIA) - Nënkryetarja dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hikmete Bajrami, ka vlerësuar se, me ndjekjen e gazetarëve nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), Qeveria Kurti po e shënon “pikën më të ultë” të demokracisë në vend", njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Pas informatacionit se Shoqata e Gazetarëve të Kosovës dje ka dërguar letër deri te kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, duke kërkuar sqarim lidhur me hetimet kundër gazetarit Berat Buzhala, Vehbi Kajtazi dhe Lirim Mehmetaj, Bajrami në faqen e vet të Fejsbukut shkruan se, ndërsa i përndjek gazetarët, Qeveria e Kurtit po i mbron të korrupruarit.
“Si ka mundësi që 25 vjet pas lufte, 16 vjet pas pavarësisë, institucionet vitale si AKI-ja me u vu në përndjekje të gazetarëve shqiptarë?! (Dhe ajo është bërë) vetëm pse e zbulojnë koordinimin e qeverisë me (Millan) Radoiçiq, sepse zbulojnë menaxhimin e departamenteve më vitale të qeverisë nga zyra para-politike e VV-së (partia Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit)... sepse arrijnë të zbulojnë nepotizëm dhe shumë abuzime të tjera në institucione", ka shkruar Bajrami.
Kjo, sipas saj, "nuk është vetëm përpjekje për ndjekjen e tre gazetarëve, por një përpjekje për të heshtur çdo zë kritik dhe për ta futur vendin në autoritarizëm të plotë”.
“Mos të harrojmë se Kurti dhe klika e tij sot përndjekin gazetarë, nesër përndjekin opozitarë e pasnesër secilin qytetar që ka guxim ta thotë një të vërtetë që nuk i shkon përshtati Kurtit... Për më tepër, instrumentalizimi i institucioneve shtetërore për llogari të ulëta politiko-partiake është një rrezik për demokracinë.Ky fenomen nuk guxon dhe nuk duhet ta lejojmë të bëhet normë", ka shkruar Bajrami, duke apeluar deri te "të gjithë meshkujt dhe femrat të cilët punojnë në institucionet t'i shërbejnë vendit, dhe jo partive politike". qa/