Hasani: Një NATO e fuqishme është thelbësore për paqen dhe sigurinë e gjeneratave
- Nga selia qendrore e NATO- në Bruksel, gjatë ceremonisë zyrtare për 75 vjetorin e Aleancës, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani tha se një lidhje e fortë euroatlantike është thelbësore për paqen dhe sigurinë e ardhshme të brezave.
- Post By Fami Bajrami
- 18:20, 4 prill, 2024
Tiranë, 4 prill 2024 (MIA) - Nga selia qendrore e NATO- në Bruksel, gjatë ceremonisë zyrtare për 75 vjetorin e Aleancës, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani tha se një lidhje e fortë euroatlantike është thelbësore për paqen dhe sigurinë e ardhshme të brezave.
“Si një komb i vogël, ne e kuptojmë thellë fuqinë e unitetit. Konkurrenca strategjike, kërcënimet e reja, fushatat kibernetike dhe dezinformuese kërkojnë përshtatje. Ne jemi të inkurajuar nga fokusi në rritje i NATO-s në këto fusha duke siguruar rëndësinë e saj të vazhdueshme në ruajtjen e së ardhmes sonë të përbashkët”, tha Hasani.
Duke vlerësuar rolin e Aleancës ndër vite, veçanërisht ai u ndal në rajon.
"Ju ruajtët jetën e njerëzve në rajonin tonë, jetën e njerëzve nga Bosnja e Hercegovina dhe Kosova të cilët po përballeshin me spastrim etnik”, nënvizoi shefi i diplomacisë shqiptare.
Shqipëria e cila feston 15 vjetorin e anëtarësimit në Aleancë, sipas mediave pret lajm pozitiv për gatishmërinë e shprehur për të pritur Samitin e NATO-s në vitin 2027. rq/
Foto: Hasani FB