Hasani: Kosova rrezikon izolimin nëse Qeveria e re nuk e dërgon statutin e AKS-së në Gjykatën Kushtetuese
- Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon izolimin nëse Qeveria e re nuk e dërgon statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese brenda një afati të shkurtër.
- Post By Sara Ademi
- 08:46, 26 shkurt, 2025

Prishtinë, 26 shkurt 2025 (MIA) - Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon izolimin nëse Qeveria e re nuk e dërgon statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese brenda një afati të shkurtër.
Ai për KTV tha se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja nuk do të tolerojnë më vonesa apo lojëra fjalësh në dialog.
"BE-ja sot ka halle të tjera. Nuk besoj që ka vullnet në Evropë dhe SHBA që të tolerojnë një lojë fjalësh në dialog. Sa më shumë të vonohet Kosova, aq më e rëndë do të jetë situata për ne", ka deklaruar Hasani.
Ai gjithashtu ka nënvizuar se marrëveshja e arritur në Ohër, përfshirë formimin e Asociacionit, është një detyrim ndërkombëtar për Kosovën dhe nuk ka më hapësirë për shmangie.
"“Kur merr detyrime ndërkombëtare, duhet t’i zbatosh. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë – politikanët, qytetarët, të gjithë", ka shtuar ai.
Hasani ka lënë të hapur mundësinë që marrëveshjes t’i shtohen elemente të reja, por ka theksuar se detyrimet e marra nga kryeministri Albin Kurti në Ohër janë tashmë të pandryshueshme dhe të paevitueshme.
Ai pretendon se cilado parti ta bëjë qeverinë e ardhshme, do të merret kryesisht me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
"Qeveria e ardhshme detyrë kryesore, 90-70 për qind të punës e ka çështjen e implementimit të marrëveshjes së Ohrit, që nënkupton implementimin e autonomisë që e ka pranuar në Ohër dhe Bruksel Kurti. Kurti e ka pranuar, por implementimi i saj ka qenë dhe është barrë e madhe për një parti. Ajo e do një konsensus të madh shoqëror, që do të thotë edhe koalicion qeveritar... Te ne nuk është thënë as në zgjedhje, por Qeveria Kurti 70-80 për qind të punëve ka pasur të bëjë me të", u shpreh ai. sa/
foto: Arkivi i MIA-s