• e hënë, 23 dhjetor 2024

Haris e pranoi nominimin për presidente të SHBA-së: Do të luftoj për klasën e mesme

Haris e pranoi nominimin për presidente të SHBA-së: Do të luftoj për klasën e mesme

Uashington, 23 gusht 2024 (MIA) - Kamalla Haris ka pranuar nominimin e Partisë demokrate në konventën e partisë në Çikago duke e bërë atë zyrtarisht kandidate për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.

“Në emër të amerikanëve me të cilët jam rritur, njerëzve që punojnë me mund, ndjekin ëndrrat e tyre dhe kujdesen për njëri-tjetrin, në emër të të gjithë atyre historitë e të cilëve mund të shkruhen vetëm në kombin më të madh në tokë, pranoj nominimin tuaj për tu bërë presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Haris para të pranishmëve në kongres.

Haris ftoi amerikanët të lënë mënjanë ndarjet politike dhe të zgjedhin rrugën e re përpara dhe njoftoi se si presidente do të angazhohet për uljen e taksave për klasën e mesme, si dhe mbështetje për aleatët e NATO-s dhe Ukrainën. Haris theksoi se tani është koha për ndërprerje të zjarrit midis Izraelit dhe Hamasit dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gazë.

Zëvendëspresidentja aktuale theksoi historinë dhe përvojën e saj personale si prokurore, duke argumentuar se ajo është e kualifikuar në mënyrë unike për të mbrojtur interesat e amerikanëve kundër Donald Trampit i cili thotë se ka vetëm interesat e tij në mendje.

Kombi ynë ka një mundësi të rrallë në këto zgjedhje për të tejkaluar qasjen e hidhur dhe cinike të së kaluarës dhe për të zgjedhur një rrugë të re përpara, jo si anëtarë të një partie, por si amerikanë, tha Haris para delegatëve.

Haris e cila është vajzë e emigrantëve nga Xhamajka dhe India u bë gruaja e parë me ngjyrë dhe personaliteti me origjinë nga Azia Jugore që pranoi nominimin presidencial të një prej dy partive kryesore në SHBA. Nëse zgjidhet, ajo do të bëhet presidentja e parë femër në historinë e SHBA-së. Në fjalimin e saj 40-minutësh, Haris nuk i përmendi drejtpërdrejt këto ndodhi historike dhe rrallë përdori fjalët "demokrat" ose "republikan", përveç në kontekstin e diskutimit të legjislacionit dypartiak të kufirit që Tramp bllokoi në fillim të këtij viti të cilët ajo premtoi se do t’i nënshkruante nëse zgjidhet.

Duke përshkruar përvojën e saj si prokurore, prokurore e përgjithshme, senatore dhe tani nënpresidente, Haris deklaroi: "Gjithë karrierën time kam pasur vetëm një klient: popullin për dallim nga Trampi që sipas saj ka vepruar gjithmonë për interesat e tij personale.

Haris u bëri apel të drejtpërdrejtë republikanëve që nuk e mbështesin Trampin të lënë mënjanë etiketat partiake dhe ta mbështesin atë në vend se Trampin i cili mohonte humbjen ndaj Xho Bajdenit në zgjedhjet e vitit 2020 të cilat frymëzuan ngjarjet e 6 janarit 2021 dhe sulmin në Kapitol Hill.

"Unë e di se ka njerëz sonte me pikëpamje të ndryshme politike dhe dua të dini se premtoj të jem presidente për të gjithë amerikanët", ka thënë Haris. “Premtoj se do të jem presidente që do të mbrojë parimet bazë kushtetuese amerikane nga sundimi i ligjit dhe zgjedhjet e ndershme deri te transferimi i qetë i pushtetit”.

Haris gjithashtu theksoi rëndësinë e mbështetjes së aleatëve të NATO-s dhe vazhdimit të mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë, duke shprehur përcaktimin e fuqishëm për të mbrojtur interesat dhe sigurinë amerikane.

Nënspresidentja u zotua gjithashtu për t'i dhënë fund luftës së Izraelit kundër Hamasit që mund të stabilizojë pjesën tjetër të rajonit, duke mos hezituar të mbrojë forcat amerikane nga agresioni i Iranit dhe armiqve të tjerë.

Ajo premtoi se "do të qëndrojë gjithmonë në anën e së drejtues së Izraelit për t'u mbrojtur" pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi dhe bëri thirrje për lirimin e pengjeve dhe zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit, duke përmendur vuajtjet e civilëve palestinezë.

Ajo që ka ndodhur në Gazë në 10 muajt e fundit është tmerruese, aq shumë jetë të pafajshme janë humbur, tha Haris. "Njerëz të dëshpëruar, të uritur që vazhdimisht ikin në ndonjë vend të siguri. Shkalla e vuajtjes është zemërthyese”.

Haris gjithashtu theksoi rëndësinë e rivendosjes së të drejtave të abortit në nivel nacional pasi Gjykata e Lartë e SHBA-së shfuqizoi vendimin e Roe v. Wade. Duke u zotuar se do ta kthejë qasjen kombëtare ndaj abortit pasi Gjykata e Lartë hodhi poshtë Roe kundër Wade, Haris kritikoi Trampin dhe republikanët të cilët mundësuan ndalesën e abortit në rreth njëzet shtete. 

Në kongres ka folur edhe ish kongresmeni Adam Kinzinger, republikan i cili është një kritik i Trampit duke u bërë thirrje bashkëpartiakëve të tij që të mbështesin parimet e demokracisë amerikane dhe të kundërshtojnë Trampin.

Haris e mbylli fjalimin e saj duke u bërë thirrje mbështetësve të vazhdojnë fushatën sikur të ishin prapa në garë, ndërsa shprehu besimin se do të fitojnë zgjedhjet.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR