• e hënë, 07 tetor 2024

Haradinaj për vizitën e Kurtit në veri të Kosovës: Trimëri është që me një divizion të policisë të shkosh për një hamburger

Haradinaj për vizitën e Kurtit në veri të Kosovës: Trimëri është që me një divizion të policisë të shkosh për një hamburger

Prishtinë, 11 shtator 2024 (MIA) - Lideri i opozitares Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ish kryeministri Ramush Haradinaj, e quajti "trimëri" vizitën e djeshme të kryeministrit Albin Kurti në veri të Kosovës, në shoqëri të forcave të shumta të policisë, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Kurti dje i vizitoi komunat Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut në veri të Kosovës, të banuara me shumicë popullatë serbe, me çka, përveç vendosjes së gurthemelit të stacionit policot dhe takimit me kryetarin e Mitrovicës, sipas raportimeve të mediave, bashkë me ministra të Qeverisë, ka qëndruar në një restorant për ushqim të shpejtë në Mitrovicë të Veriut. 

Sipas Haradinaj "nuk është trimëri që me një divizion të policisë kryeministri i vendit të shkojë në një pjesë të territorit të tij për një hamburger dhe të mashtrojë çdo qytetar të Kosovës se gjithçka në veri është rregulluar". 

"Frika dhe paranoja e tij i futi në gabime edhe ata që s’duhej të gabonin. Pra mekanizmat e sigurisë", shkroi sot Haradinaj në faqen e tij në Fejsbuk.

Haradinaj thotë se edhe pse Kurti "ecën me kokën lart", ai reflekton frikë dhe "frikësohet nga të gjithë". 

"Ai frikësohet të dalë para qytetarëve dhe të tregoj çka ka të vërtetë në akuzat e Presidentes. Ai frikësohet të dalë para gazetarëve dhe të tregojë çka po ndodhë me Procesin e Berlinit dhe pse po e shtyen BE-në drejt përjashtimit të Kosovës. Ai frikësohet të dalë dhe të tregojë të vërtetën për mos-hapjen e urës (në lumin Ibër) dhe ende mban qytetarët në mashtrime se së shpejti do të hapet ajo", shkroi Haradinaj. 

Ish kryeministri foli edhe për propozim-ligjin për Byronë për Konfiksimin e Pasurisë, që ishte miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë, duke thënë se Kurti nuk flet për atë propozim-ligj, sepse është i sigurt se klientë të parë të asaj Byroje do të jenë bashkëpunëtorët e tij. 

"Kryeministri u ikë dhe u frikësohet gazetarëve dhe ndihet trim kur i shtyen kolegët e tij të dalin dhe të flasin e mos të tregojnë asgjë për të gjitha këto tema sepse vet s’ka çka thotë. Ai sot as për Byron për Konfiskim të Pasurisë nuk foli sepse ai e din që bashkëpuntorët e vet do të jenë klientët e parë të saj e për vete është i sigurtë se shpëton. Shpëton sepse mendon se askush s’do ta ndjek në Norvegji", shkroi Haradinaj, duke aluduar në shtetësinë e Kurtit në Norvegji, ku jetojnë bashkëshortja dhe vajza e tij. fc/
 

QËNDRONI TË LIDHUR