• e diel, 22 dhjetor 2024

Haradinaj kërkon seancë të jashtëzakonshme për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Haradinaj kërkon seancë të jashtëzakonshme për rrëzimin e Qeverisë Kurti

Prishtinë, 19 gusht 2023 (MIA) -  Lideri i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, pas arrestimit të mbrëmshëm të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë dhe biznesmenit të afërt me pushtetin për shkak të dyshimit për keqpërdorime me prokurimet për rezervat shtetërore, kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për rrëzimin e Qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Sipas ish kryeministrit, largimi i Kurtit është "zgjidhja e vetme për të shpëtuar vendin", duke krijuar një qeveri të unitetit kombëtar deri në zgjedhjet e reja parlamentare.

"Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një njeri të sëmurë për pushtet, të papërgjegjshëm dhe të pamatur dhe që nuk do të japë dorëheqjen, është e nevojshme të mobilizohen të gjithë ata që e duan atdheun dhe që përfaqësojnë interesat e vendit dhe të qytetarëve pa dallime partiake. Thirrja e seancës për shpërbërjen e qeverisë me votë mosbesimi është zgjidhja e vetme për të shpëtuar vendin dhe për t'i hapur rrugë qeverisë së unitetit kombëtar dhe zgjedhjeve të reja", ka shkruar Haradinaj në Fejsbuk.

Sipas tij, Kurti po lufton kundër sistemit juridik dhe kundër mediave në vendin ku është kryeministër, për të mbrojtur, siç thotë ai, "dosllarët e tij në krim".

"Ç'është ky kryeministër që e lufton sistemin e drejtësisë të shtetit të vet e i mbron "dosllarët" e krimit! Ç'është ky njeri që e sulmon median e shtetit ku vet është kryeministër, veç pse ato i'a zbulojnë hajnitë e miqtë matrapazë! Ky njeri që vjedhjen e bukës së popullit, mundohet ta mbulojë me "borën e parvjeme"! Çka duhet të ndodhë tjetër që ju që keni votë, që keni zë, që keni mendje e zemër dhe që e doni Kosovën, të bindeni se shkarkimi i këtij njeriu, sot është detyrë kombëtare", porositi Haradinaj. ia/sa/

QËNDRONI TË LIDHUR