• e martë, 26 nëntor 2024

Haradinaj akuzon Qeverinë e Kurtit për vrasjet e shpeshta në Kosovë

Haradinaj akuzon Qeverinë e Kurtit për vrasjet e shpeshta në Kosovë

Prishtinë, 10 gusht 2023 (MIA)- Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish kryeministër Ramush Haradinaj ka akuzuar qeverinë aktuale të drejtuar nga Albin Kurti për vrasjet e fundit, njofton korrespodenti i MIA-s në Prishtinë.

Sipas Haradinajt, siguria publike në vend është e rrezikuar për shkak të mungesës së vizionit të qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

"Qasja e gabuar e Qeverisë dhe e MPB-së duke zhvendosur elementin kyç në shoqëri, sigurinë publike, brenda agjendës së saj puro politike, kanë bërë që elementet me prirje kriminale të organizohen në banda të cilat sot cenojnë të pa penguara jetën e qytetarëve. Fatkeqësisht siguria publike ne vend, tashmë është duke u sfiduar nga banda të armatosura të cilat nuk zgjedhin as cak e as vend për të terrorizuar qytetarët", ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Fejsbuk pas vrasjes së fundit që mbrëmë në mesnatë ndodhi në fshatin Runikë, komunë e Skenderajt.

Sipas tij, vendi është duke u përballur me sfida të shumta të sigurisë. Krahas qasjes së gabuar politike të qeverisë në veri të vendit e cila ka reflektim serioz edhe në siguri, lloje të ndryshme të krimit e sidomos ato të rënda siç janë vrasjet, lëndimet e rënda trupore, armët pa leje, prezenca e madhe e narkotikëve, janë disa nga aktivitetet e kundërligjshme të cilat po e cenojnë seriozisht jetën e qytetarëve.

Që nga shpallja e pavarësisë së vendit, shkruan ai, institucionet e sigurisë kanë punuar me shumë përkushtim në avancimin e sigurisë publike duke hartuar dhe implementuar shumë strategji nacionale, plane konkrete operative të cilat mbi të gjitha kishin për qëllim parandalimin efikas të krimit dhe dukurive të ndryshme negative në shoqëri.

Vrasjet e ditëve të fundit, shton ai, përfshirë edhe vrasjen e një shtetasi të huaj, janë treguesi më i mirë për pasigurinë dhe kërcënimin që ju kanoset qytetarëve si në rrugë, ashtu dhe në ambiente publike, lokale hoteliere e gjetiu.

"Mungesa e vizionit dhe përkushtimit të qeverisë e MPB, ngritë dyshime të shumta se ky nivel i lartë i cenimit të sigurisë publike dhe neglizhenca institucionale për të parandaluar këto lloje të krimeve nga të cilat çdo ditë është duke u tronditur vendi, ka për qëllim zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga skandalet dhe aferat e shumta korruptive të qeverisë, ku së fundmi u mësua edhe për planifikim të kontrabandës ndërkombëtare me armë nga ana e sekserëve të afërt me qeverinë", ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, shfaqja e krimineleve me maska siç ishte rasti i mbrëmshëm në komunën e Skenderajt ku mbeti i vrarë një qytetar dhe u plagosën tre të tjerë, nxjerr në pah pafuqinë e qeverisë si dhe guximin e grupeve kriminale për të vepruar.

"Objektivisht qytetari ka mbetur i pambrojtur, i pa përkujdesur nga kjo qeveri e cila ka mungesë të madhe profesionale për të trajtuar çështje komplekse siç është siguria. Kjo qeveri do të mbahet përgjegjëse për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në vend. Mocioni është zgjidhja", ka thënë Haradinaj.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR