• e diel, 22 dhjetor 2024

Hamnei: Forcat izraelite nuk mund ta shkatërrojnë Hamasin

Hamnei: Forcat izraelite nuk mund ta shkatërrojnë Hamasin

Teheran, 19 nëntor 2023 (MIA) - Lideri suprem i Iranit, ajatollah Ali Hamnei deklaroi sot se krahas bombardimeve masive në Gaza, forcat izraelite pas 40 ditësh nuk mund ta shkatërrojnë Hamasin dhe vlerësoi se “bombardimi brutal i spitaleve, grave dhe fëmijëve në Gaza është shenjë e nervozizmit të skajshëm të liderëve të regjimit izraelit për humbjen”.

“Disfata e regjimit sionist në Gaza është fakt, ndërsa hyrja nëpër spitale apo shtëpitë e njerëzve nuk është përparim dhe fitore, sepse fitorja do të thotë disfatë e palës tjetër, gjë që regjimi sionist nuk ia ka dalë deri tani dhe nuk do të mund as në të ardhmen”, shtoi ai.

Hamnei tha se mossuksesi i Izraelit nënkupton edhe dështimin e SHBA-së dhe vendeve perëndimore, si dhe se e gjithë bota është përballur me faktin se një vend me infrastrukturë dhe pajisje të avancuara ushtarake nuk mund të mposht një kundërshtar që nuk ka asnjë nga këto, transmeton agjencia IRNA.

Ai u bëri thirrje qeverive islamike që të ndërpresin lidhjet politike me Izraelin të paktën për një periudhë të kufizuar.

Sipas tij, regjimi izraelit është manifestim i diskriminimit racor. “Sionistët e konsiderojnë veten një racë superiore, ndërsa qeniet e tjera njerëzore si inferiore dhe prandaj ata vranë disa mijëra fëmijë pa asnjë pendim. Kur presidenti i SHBA-së (Xho Bajden), kancelari gjerman (Olaf Sholc), presidenti i Francës (Emanuel Makron) dhe kryeministri britanik (Rishi Sunak) mbështesin dhe ndihmojnë një regjim të tillë racist, kjo do të thotë se mbështesin diskriminimin racor”, tha Hamnei.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR