Hamasi: Të paktën 50 persona humbën jetën në sulmin izraelitë mbi shkollën Al- Fakura në Gaza
- Të paktën 50 persona janë vrarë gjatë sulmit izraelit në shkollën Al-Fakura në kampin e refugjatëve Xhabalia në veri të Rripit të Gazës, kumtoi një zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës drejtuar nga Hamasi.
- Post By Fami Bajrami
- 15:34, 18 nëntor, 2023
Gaza, 18 nëntor 2023 (MIA) - Të paktën 50 persona janë vrarë gjatë sulmit izraelit në shkollën Al-Fakura në kampin e refugjatëve Xhabalia në veri të Rripit të Gazës, kumtoi një zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës drejtuar nga Hamasi.
Zyrtari shtoi se sulmi ka ndodhur herët në mëngjes.
Ministria e Punëve të Jashtme të Palestinës publikoi se sulmi në shkollën Al-Fakura tregon se lufta e Izraelit e shpallur kundër civilëve, siç theksohet, ka për qëllim "të pastrojë gjithë pjesën veriore të Rripit të Gazës nga palestinezët", transmeton Al Xhezira.
Ka qenë televizioni i Katarit që më herët publikoi se në sulmin e sotëm izraelit mbi shkollën Al-Fakura jetën e kanë humbur rreth 200 persona.
Korrespondenti i kësaj shtëpie mediatike informoi se dhjetëra njerëz vdiqën nga bombardimet izraelite në shkollë, ku qindra palestinezë u strehuan nga luftimet dhe u detyruan të ikin nga shkollat që udhëhiqen nga Kombet e Bashkuara.
Kampi i refugjatëve Xhabalia me javë ka qenë cak i sulmeve izraelite, pasi Izraeli pretendon se në të strehon luftëtarë palestinezë.
Në sulmin izraelit në të njëjtën shkollë në fillim të nëntorit jetën e humbën të paktën 12 njerëz, ndërsa mbi 50 u lënduan.