• e premte, 20 dhjetor 2024

Hamasi pohon se ka vrarë më shumë se 20 palestinezë, të cilët vidhnin ndihma humanitare

Hamasi pohon se ka vrarë më shumë se 20 palestinezë, të cilët vidhnin ndihma humanitare

Gazë, 19 nëntor 2024 (MIA) - Ministria e Punëve të Brendshme në Rripin e Gazës nën kontroll të Hamasit raportoi për vrasjen e më shumë se 20 palestinezëve në një operacion, për të parandaluar krimet që lidhen me ndihmën humanitare. Siç pretendojnë, aksioni është kryer me ndihmën e bordeve fisnore.

Në kumtesën e MPB-së së Gazës theksojnë se kanë eliminuar më shumë se 20 palestinezë, të cilët ishin pjesë e bandave të grabitësve të kamionëve, që transportonin ndihma humanitare të dedikuara për banorët e Gazës.

"Operacioni i sotëm i sigurisë nuk do të jetë i fundit", deklaruan zyrtarët e Ministrisë për kanalin Al Aksa të Hamasit. "Ky është fillimi i një operacioni të madh sigurie, që është planifikuar prej disa kohësh dhe do të shtrihet për të gjithë të përfshirët në vjedhjen nga kamionët me ndihma".

Në mënyrë shtesë, ata theksuan se forcat e sigurisë "me dorë të hekurt do të ndëshkojnë këdo që është i përfshirë në ndihmë të bandave grabitçare" dhe se "operacioni i sigurisë nuk është i drejtuar kundër vetë fiseve, por synimi i tij është të eliminojë fenomenin e vjedhjes së kamionëve, i cili ka ndikim të rëndësishëm në shoqëri, duke shkaktuar uri në pjesën jugore të Rripit të Gazës”.

Nga 7 tetori i vitit 2023, kur filloi konflikti midis Izraelit dhe Palestinës, në internet dhe ne media mund të gjenden videot e individëve që gjuanin me gurë kamionët me ndihma dhe tentuan t'i vjedhin. Agjencia e KB-së për refugjatët palestinezë (UNRVA) publikoi se të shtunën, më 16 nëntor, një kolonë prej 109 kamionësh me ndihma humanitare të KB-së që transportonin ushqime, u grabit dhunshëm në Gazë.

Sipas UNRVA-së, nëntëdhjetë e shtatë kamionë u plaçkitën, ndërsa drejtuesit e tyre u detyruan nën kërcënimin e armëve të shkarkojnë furnizimet humanitare, pasi kaluan nëpër vendkalimin Kerem Shalom me pjesën jugore të Gazës, e cila është nën kontroll të Izraelit. Dëshmitarët okularë dëshmojnë se autokolona është sulmuar nga "persona të maskuar, të cilët kanë hedhur granata". rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR