Hamasi po shqyrton propozimin paqësor të Trampit për Gazën dhe përgatit përgjigjen e tij
- Propozimin për armëpushim në Gaza, që dje e paraqiti SHBA, varet nga përgjigjja e Hamasit në planin prej 20 pikash për të cilin presidenti Donald Tramp tha se është "më shumë se afër" ndërprerjes së konfliktit dyvjeçar në enklavë.
- Post By Sara Ademi
- 15:24, 30 shtator, 2025
Gazë, 30 shtator 2025 (MIA) - Propozimin për armëpushim në Gaza, që dje e paraqiti SHBA, varet nga përgjigjja e Hamasit në planin prej 20 pikash për të cilin presidenti Donald Tramp tha se është "më shumë se afër" ndërprerjes së konfliktit dyvjeçar në enklavë.
Ndërmjetësuesit Katari dhe Egjipti e shpërndanë dokumentin me Hamasin mbrëmë vonë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u ndal pranë Donald Trampit në Shtëpinë eë Bardhë dhe premtoi mbështetje për propozimin, duke thënë se ai i plotëson objektivat ushtarake të Izraelit. Nuk është e qartë se ç'farë i lehtësoi dyshimet paraprake të Netanjahut për elementet e propozimit.
Hamasi nuk është përfshirë në raundin e bisedimeve dhe përgatitjen e planit të Trampit, i cili i bën thirrje grupit militant islamik të çarmatoset, një kërkesë që më parë e kishte refuzuar.
"Negociuesit e Hamasit thanë se në vullnet të mirë do ta shqyrtojnë planin dhe do të japin përgjigje", deklaroi herët në mëngjes një zyrtar i njoftuar me bisedat, transmetojnë mediat britanike.
Trampi paralajmëroi Hamasin se nëse hedh poshtë ofertën e tij, Izraeli do ta ketë mbështetjen e plotë amerikane të ndërmarrë ç'farëdo lloj veprimi që e konsideron të domosdoshëm.
Plani parashikon armëpushim të menjëhershëm, shkëmbimin e të gjitha pengjeve që i mban Hamasi për të burgosurit palestinez që i mban Izraeli, tërheqjen graduale të Izraelit nga Gaza, çarmatimin e Hamasit dhe vendosjen e qeverisë teknike të udhëhequr nga një organ ndërkombëtar.
Hamasi sot zyrtarisht nuk u përgjigj në propozimin e Trampit dhe nuk e dinte çka kishte risi në të, përveç mbështetjes së gjerë të nismës së shprehur nga vendet arabe dhe myslimane.
Shumë elementë të 20 pikave janë përfshirë në marrëveshje të shumta armëpushimi të propozuara gjatë dy viteve të fundit, duke përfshirë ato të pranuara dhe më pas të refuzuara në faza të ndryshme nga Izraeli dhe Hamasi.
Një burim pranë Hamasit tha se plani ishte "plotësisht i anshëm ndaj Izraelit" dhe do të impononte "kushte të pamundura" me qëllim eliminimin e grupit.
"Trampi propozoi miratimin e plotë të të gjitha kushteve izraelite që populli palestinez dhe banorët e Rripit të Gazës nuk kanë të drejta legjitime", tha një zyrtar palestinez në kushte anonimiteti.
Është e paqartë se si do ta formulojë Hamasi përgjigjen e tij, pasi refuzimi i tij i plotë mund të çojë në konflikt me grupin e vendeve arabe dhe myslimane që e mirëpritën planin.
Ministrat e punëve të jashtme të Katarit, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Indonezisë, Turqisë, Arabisë Saudite dhe Egjiptit lëshuan dje një deklaratë të përbashkët duke mirëpritur propozimin e Trampit dhe duke theksuar atë që ata e quajtën "përpjekje të sinqerta" të presidentit për t'i dhënë fund luftës në Gaza.
Disa palestinezë mirëpritën planin, duke thënë se ai mund t'i ndërpresë bombardimet dhe vrasjet, por pyetën nëse me të vërtetë do ta ndërpresë kontrollin izraelit ndaj Rripit të Gazës.
"Duam që lufta të përfundojë, por duam edhe armata pushtuese e cila vrau dhjetëra mijëra njerëz të tërhiqet dhe të na lërë të qetë", tha 60-të vjeçari Salah Abu Amr, baba i gjashtë fëmijëve nga Gaza.
"Shpresojmë se plani do ta përfundojë luftën, por nuk jemi të sigurt se do ta bëjë atë, as Trampit dhe as Netanjahut nuk mund t'i besojmë", tha ai.
Forcat izraelite kanë hyrë më thellë në Gaza, duke arritur qendrën e territorit që Netanjahu e përshkruan si bastionin e fundit të Hamasit. Izraeli, gjithashtu, ka shtuar bombardimet e zonave të banuara, duke detyruar shumë familje të largohen, raportuan dëshmitarët dhe mjekët. sa/
foto: MIA