• e premte, 21 shkurt 2025

Hamasi nxori tre pengje izraelite para turmës së madhe në Rripin e Gazës para dorëzimit në Kryqin e Kuq

Hamasi nxori tre pengje izraelite para turmës së madhe në Rripin e Gazës para dorëzimit në Kryqin e Kuq

Kan Junis, 15 shkurt 2025 (MIA) - Hamasi sot nxori tre pengje izraelitë para një turme të madhe në Rripin e Gazës para dorëzimit të tyre të paralajmëruar në Kryqin e Kuq, si pjesë e zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit, sipas së cilës Izraeli duhet të lirojë qindra palestinezë të burgosur në këmbim të pengjeve.

Tre pengjet që do të lirohen sot janë Iar Horn (46), shtetas i dyfishtë i Izraelit dhe Argjentinës, Sagi Dekel Çen (36), një shtetas amerikano-izraelit dhe Aleksandar Trufanov (29), i cili ka nënshtetësi izraelite dhe ruse. Të tre u rrëmbyen më 7 tetor 2023, në një sulm të Hamasit ndaj Izraelit që e nxiti luftën.

Ky është raundi i gjashtë i shkëmbimeve që nga fillimi i fazës së parë të armëpushimit më 19 janar, ndërsa deri më tani nga burgjet izraelite janë shkëmbyer 21 pengje dhe më shumë se 730 palestinezë.

Ditët e fundit, armëpushimi është vënë në pikëpyetje për shkak të një mosmarrëveshjeje që kërcënoi të rindezte luftimet në Gazë. Hamasi njoftoi të enjten se sekuenca e planifikuar e lirimit të pengjeve do të vazhdojë pas bisedimeve me ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari, të cilët, sipas lëvizjes palestineze, dhanë garanci se do të hiqnin të gjitha pengesat dhe do të siguronin që Izraeli të lejonte më shumë tenda, pajisje mjekësore dhe sende të tjera thelbësore për të hyrë në Gaza.

Automjete të Kruqit të kuq sot në mëngjes mbërritën në vendin ku Hamasi supozohet të lirojë pengjet. Ashtu si gjatë shkëmbimeve të mëparshme, dhjetëra luftëtarë të maskuar dhe të armatosur të Hamasit u rreshtuan pranë një skene të zbukuruar me flamuj palestinezë dhe shenjat e fraksioneve militante. Kryqi i Kuq, pasi të marrë pengjet, do t'i transferojë tek forcat izraelite.

Nga 251 pengje, 73 janë ende në Gazë, ndërsa rreth gjysma e tyre besohet të jenë të vdekur. Pothuajse të gjithë pengjet e mbetur janë burra, përfshirë ushtarë izraelitë. ls/

Foto: EPA 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR