Hamasi me siguri do t'i përgjigjet propozimit izraelit brenda 48 orëve
- Hamasi "me siguri do t'i përgjigjet brenda 48 orëve" propozimit të Izraelit për armëpushim në Rripin e Gazës, deklaroi sot për mediat franceze një funksionar anonim i lëvizjes palestineze.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:02, 15 prill, 2025

Gazë, 15 prill 2025 (MIA) - Hamasi "me siguri do t'i përgjigjet brenda 48 orëve" propozimit të Izraelit për armëpushim në Rripin e Gazës, deklaroi sot për mediat franceze një funksionar anonim i lëvizjes palestineze.
"Hamasi me siguri do të paraqesë përgjigjen e tij tek ndërmjetësit brenda 48 orëve, pasi lëvizja është ende duke kryer konsultime të gjera", tha përfaqësuesi, i cili deshi të mbetet anonim.
Hamasi dje njoftoi se, nëpërmjet ndërmjetësve egjiptianë, kishte marrë një propozim izraelit për një armëpushim të përkohshëm në enklavë.
Sipas një përfaqësuesi të lëvizjes, Izraeli kërkon kthimin e 10 pengjeve të gjalla në këmbim të një armëpushimi "të paktën 45 ditë". Është planifikuar lirimi i gjithsej 1.231 të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli, si dhe qasje në ndihma humanitare në Gazë.
Lufta në Gazë filloi më 7 tetor të vitit 2023, me një sulm të Hamasit në Izraelin jugor, i cili shkaktoi një ofensivë hakmarrëse izraelite në territorin palestinez.
Foto: Arkivi i MIA-s