• e hënë, 28 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Hakohen emailet e prokurorëve, sistemi i brendshëm i SPAK-ut mbetet i paprekur

Hakohen emailet e prokurorëve, sistemi i brendshëm i SPAK-ut mbetet i paprekur

Tiranë, 3 prill 2025 (MIA)- Prokuroria e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mori informacion se në datën 12 mars 2025 ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të emaileve të prokurorëve të posaçëm. Falë masave të sigurisë, nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) i cili mbetet i pacenuar.

"Nga verifikimet, ka rezultuar se është ndërhyrë vetëm në adresat e emaileve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të TI-së të institucionit. Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë qasje në dosjet hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në emailin e Drejtuesit të Prokurorisë së posaçme, Altin Dumani, por pa sukses", thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në emale dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i pajisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar. "Prokurori i çështjes, me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor, ka urdhëruar personat të cilët kanë rënë në posedim të këtyre informacioneve të mos i publikojnë ato. Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe individë të tjerë që mund të kenë pasur lidhje me personat e arrestuar dhe kanë poseduar informacionet", thuhet në kumtesë.

Nga ana tjetër, disa nga mediat thonë se hakerët, shtetas shqiptarë, njëri prej tyre ish punonjës i Administratës së sanksioneve, kanë shkarkuar skedarë dhe i kanë përcjellë në adresa të ndryshme.

Edhe lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se “hakerët kanë hakeruar edhe dosjen e tij”.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR