Hakan Fidan: Gaza është Palestinë dhe duhet të mbetet shtëpia e popullit palestinez
- Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan deklaroi se zhvendosja e palestinezëve nga Gaza nuk duhet të lejohet dhe theksoi se bota perëndimore po merr gjithnjë e më shumë qëndrim kundër veprimeve izraelite.
Xheda, 25 gusht (MIA) – Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan deklaroi se zhvendosja e palestinezëve nga Gaza nuk duhet të lejohet dhe theksoi se bota perëndimore po merr gjithnjë e më shumë qëndrim kundër veprimeve izraelite.
Në takimin e Organizatës për bashkëpunim islamik (OBI) në Xheda, Arabia Saudite, Fidan foli në cilësinë e kryesuesit, pasi Turqia aktualisht mban presidencën e radhës.
"Është e qartë se Izraeli nuk dëshiron paqe, por dëshiron të zhdukë popullin palestinez nga Gaza. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Gaza është Palestinë dhe i përket popullit palestinez. Ne duhet të kemi garanci se ata do të qëndrojnë atje dhe se ne do ta rindërtojmë Gazën", tha Fidan.
Ai nënvizoi se përpjekjet e përbashkëta të OBI-së dhe Ligës Arabe kanë rritur mbështetjen ndërkombëtare për Palestinën, duke shtuar se Franca dhe Kanadaja tashmë kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të njohur shtetin palestinez.
Fidan paralajmëroi se nëse sulmet në Gazë nuk ndalen së shpejti, Izraeli do të intensifikojë planet e tij të pushtimit. Si hap tjetër, ai theksoi nevojën për të forcuar institucionet palestineze me mbështetje financiare dhe teknike, si dhe "fillimin e një procesi për pranimin e Palestinës në Kombet e Bashkuara".
"Njohja e Palestinës është bërë një proces i pakthyeshëm, por kjo nuk mjafton. Ne kemi nevojë për presion të koordinuar që Izraeli të pranojë një zgjidhje të përhershme", theksoi ministri turk i Punëve të Jashtme. ls/
Foto: Arkivi