Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Njusom, po mendon të garojë për president të SHBA-së në vitin 2028
- Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Njusom, një nga demokratët më të votuar kur bëhet fjalë për kritikët ndaj presidentit amerikan Donald Tramp, konfirmoi se po mendon për kandidaturë presidenciale, njoftoi DPA.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:20, 27 tetor, 2025
San Hose, 27 tetor 2025 (MIA) - Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Njusom, një nga demokratët më të votuar kur bëhet fjalë për kritikët ndaj presidentit amerikan Donald Tramp, konfirmoi se po mendon për kandidaturë presidenciale, njoftoi DPA.
I pyetur nëse "seriozisht do të mendonte" për kandidaturën për president në vitin 2028, 58 vjeçari Njusom për televizionin Si-Bi-Es deklaroi - "Në të kundërtën do të gënjeja. Do të gënjeja, dhe unë nuk mund ta bëj këtë".
Në komentet e dhëna të enjten dhe transmetuara dje, Njusom e quajti Trampin "një lloj pushtuesi" për SHBA-në dhe botën, duke shtuar se "ai është një top shkatërrimi", transmetoi agjencia gjermane.
Njusom e sulmoi Trampin për muaj me radhë, duke iu kundërvënë veprimeve të presidentit republikan me padi dhe ligje, si edhe duke e tallur stilin e tij në rrjetet sociale.
Ekipi i tij, gjithashtu, ka imituar përdorimin e imazheve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, stilin e të shkruarit me shkronja të mëdha dhe nënshkrimin "JU FALENDEROJMË PËR VËMENDJEN PËR KËTË ÇËSHTJE", që është i pranishëm në mënyrë të vazhdueshme në postimet e Trampit në rrjetet sociale, njofton agjencia DPA.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA janë caktuar për vitin 2028.
Tramp (79) nuk e ka përjashtuar plotësisht kandidaturën e tij të mundshme, pasi ai dhe rrethi i tij shpesh aludojnë për mundësinë e një mandati të tretë. Megjithatë, sipas Amendamentit të 22-të të Kushtetutës së SHBA-së, askush nuk mund të zgjidhet president më shumë se dy herë. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s