• e martë, 24 dhjetor 2024

Guteresh sërish i bëri thirrje Rusisë të kthehet në Marrëveshjen e Detit të Zi për grurin

Guteresh sërish i bëri thirrje Rusisë të kthehet në Marrëveshjen e Detit të Zi për grurin

Romë, 24 korrik 2023 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh i bëri thirrje Rusisë të kthehet në marrëveshjen për eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi, duke e përsëritur propozimin që ia dha presidenti rus Vlladimir Putin në fillim të këtij muaji.

"Me përfundimin e Iniciativës së Detit të Zi, më të cenuarit do të paguajnë çmimin më të lartë," tha Guteresh në hapjen e një takimi të nivelit të lartë të Organizatës së Ushqimit (FAO) pranë Kombeve të Bashkuara në Romë.

"Kur çmimet e ushqimeve rriten, ne të gjithë paguajmë më shumë," tha Guteresh.

Pasi Rusia u tërhoq nga marrëveshja dhe filloi sistematikisht t'i sulmojë portet ukrainase të Detit të Zi dhe lumit Danub, çmimet e grurit dhe misrit në bursat botërore u rritën.

"Ajo që po ndodh është veçanërisht shkatërruese për vendet që kanë probleme për të ushqyer popullin e tyre," shtoi Guteresh.

Sekretari i Përgjithshëm i KB-së i shkroi Putinit më 11 korrik në një përpjekje të minutës së fundit për të shpëtuar marrëveshjen e grurit, duke propozuar që Rusia të qëndrojë në të, numri i anijeve që hyjnë dhe dalin nga portet e Ukrainës të kufizohet në katër secila dhe që një divizion i Bankës Agrare të Rusisë, Rosselkolhozbank, të lidhet me sistemin global të pagesave SVIFT. BE e përjashtoi bankën nga sistemi në qershor të vitit 2022.

Kthimi i saj ishte një nga kushtet e Moskës për të mos i dhënë fund pjesëmarrjes së saj në marrëveshje. Tjetra ishte për të lehtësuar eksportin e amoniakut dhe plehrave ruse, të cilat Kremlini thotë se mbeten të paplotësuara, gjë që është gjithashtu një argument për daljen nga marrëveshja e grurit.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, eksporti rus i grurit rritet, por ai i plehrave artificiale ka rënë ndjeshëm.

"Unë mbetem i përkushtuar për të lehtësuar aksesin e papenguar në tregjet globale të ushqimit dhe plehrave nga Ukraina dhe Rusia për të siguruar ushqimin që çdo person meriton," tha Guteresh. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR