Guteresh: Marrëveshja ndërmjet Izraelit dhe Hamasit është një hap i rëndësishëm, por mbetet edhe shumë punë
- Marrëveshja midis Izraelit dhe Hamasit për lirimin e pengjeve dhe armëpushimin është "një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur, por mbetet ende shumë punë", tha një zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh.
- Post By Sara Ademi
- 15:57, 22 nëntor, 2023
Nju-Jork, 22 nëntor 2023 (MIA) - Marrëveshja midis Izraelit dhe Hamasit për lirimin e pengjeve dhe armëpushimin është "një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur, por mbetet ende shumë punë", tha një zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh.
Ai shtoi se Guteresh "mirëpret marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit, të ndërmjetësuar nga Katari dhe të mbështetur nga Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës".
"KB-ja do të mobilizojë të gjithë kapacitetin e saj për të mbështetur zbatimin e marrëveshjes dhe për të maksimizuar ndikimin e saj pozitiv në situatën humanitare në Gaza", theksoi zëdhënësi i Gutereshit.
Edhe drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Gebrejesus, e përshëndeti marrëveshjen, duke theksuar se "nuk mjafton për t'i dhënë fund vuajtjeve të popullatës civile".
Ai bëri thirrje për lirimin e të gjithë pengjeve dhe derisa kjo të ndodhë, duhet pasur kujdes për ata që mbeten në robëri.
Tedros bëri një thirrje të re për një armëpushim, në mënyrë që banorëve të Rripit të Gazës t'u jepet ndihma e vërtetë afatgjatë dhe në siguri të plotë.
Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për një armëpushim katër ditor dhe lirimin e të paktën 50 prej rreth 240 pengjeve që Hamasi rrëmbeu më 7 tetor, në këmbim të lirimit të 150 të miturve dhe grave të mbajtura në burgjet izraelite. sa/
foto: EPA