• e premte, 05 dhjetor 2025

Guteresh: KB dënon shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit në Gazë

Guteresh: KB dënon shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit në Gazë

Doha, 4 nëntor 2025 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, deklaroi se është "thellësisht i shqetësuar" nga "shkeljet e vazhdueshme" të armëpushimit në Rripin e Gazës, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë plotësisht dispozitat e fazës së parë të marrëveshjes së paqes.

"Këto shkelje duhet të ndalen dhe të gjitha palët duhet të respektojnë vendimet e fazës së parë të marrëveshjes së paqes", tha Gutereshi në konferencën për shtyp në Doha, të mbajtur në kuadër të Samitit botëror për zhvillim social, shkruan gazeta franceze "Figaro".

Ndërprerja e zjarrit në Gazë ka qenë në fuqi që nga 10 tetori, si pjesë e një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA e cila parashikon lirimin e të gjithë pengjeve të gjalla të rrëmbyera gjatë sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar.

Megjithatë, procesi i kthimit të trupave të pengjeve po ecën më ngadalë se sa ishte planifikuar.

Izraeli akuzon Hamasin për mosrespektim të marrëveshjes, duke pretenduar se grupi militant po prolongon kthimin e trupave, ndërsa Hamasi thotë se operacionet e kërkimit po pengohen nga shkatërrimet e mëdha në territor.

Siç bëhet e ditur, pavarësisht armëpushimit, ushtria izraelite ka bombarduar vazhdimisht Gazën, duke deklaruar se kjo është "hakmarrje" për sulmet në të cilat u vranë tre ushtarë izraelitë.

Në sulmet izraelite deri më tani janë vrarë 68,865 palestinezë, shumica e tyre civilë, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës të cilat KB i konsideron të besueshme.

foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR