Guteresh kërkoi ndalim të "dhunës tronditëlse dhe gjakderdhjes" në Gaza dhe Liban
- - Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, ka bërë thirrje për t'i dhënë fund "dhunës tronditëse" dhe "gjakderdhjes" në Gaza dhe Liban, para përvjetorit të parë të sulmit të Hamasit islamik palestinez ndaj Izraelit që shkaktoi reagimin e ashpër të Izraelit dhe ishte fillimi i luftës në Gaza.
- Post By Melahat Baftija
- 12:54, 6 tetor, 2024
Nju-Jork, 6 tetor 2024 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh, ka bërë thirrje për t'i dhënë fund "dhunës tronditëse" dhe "gjakderdhjes" në Gaza dhe Liban, para përvjetorit të parë të sulmit të Hamasit islamik palestinez ndaj Izraelit që shkaktoi reagimin e ashpër të Izraelit dhe ishte fillimi i luftës në Gaza.
Nesër shënohet përvjetori i parë i sulmit të paprecedentë të Hamasit ndaj Izraelit, pas të cilit shteti hebre u hakmor dhe filluan operacionet në Gaza, ku Hamasi është në pushtet.
Që para dy javësh, lufta është përhapur në Libanin fqinj, ku IDF-ja i sulmon pozicionet e Hezbollahut, aleat i ngushtë i Hamasit.
"Dita e nesërme është një mundësi për komunitetin ndërkombëtar që të dënojë edhe një herë me zë të lartë dhe fuqishëm veprimet e urryera të Hamasit, veçanërisht rrëmbimin e pengjeve”, tha Guteresh në një komunikatë të lëshuar dje.
Guteresh kërkoi "lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar" të pengjeve dhe i bëri thirrje Hamasit që të lejojë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të vizitojë pengjet.
Të dhënat e disponueshme thonë se nga 251 personat e rrëmbyer më 7 tetor, besohet se aktualisht ende në Gaza janë 97, megjithëse ekziston frika se të paktën 33 të tjerë kanë vdekur ndërkohë.
“Që nga 7 tetori është përhapur vala e dhunës dhe e gjakderdhjes tronditëse. Koha për të liruar pengjet... koha për të heshtur armët. Është koha për t'i dhënë fund vuajtjeve që kanë kapluar rajonin”, tha Guteresh.
Ai shprehu gjithashtu shqetësim për konfliktin që po përhapet në Liban kundër Hezbollahut të mbështetur nga Irani.
"Lufta që pasoi sulmet e tmerrshme një vit më parë ka shkatërruar shumë jetë dhe ka shkaktuar vuajtje të rënda njerëzore për palestinezët në Gaza dhe sot për popullin libanez", tha Guteresh. mb/
Foto: MIA