• e mërkurë, 26 qershor 2024

Guteresh i bën thirrje botës të mos përkulet para interesave me karburantet fosile

Guteresh i bën thirrje botës të mos përkulet para interesave me karburantet fosile

Nju Jork, 20 shtator 2023 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i KB-së Antonio Guteresh sot në samitin e klimës në margjinat e sesionit vjetor të Asamblesë së përgjithshme të KB-së në Nju Jork, tha se koha për përballje me ndryshimet klimatike po mbaron, pjesërisht për shkak të "lakmisë së interesave që grumbullojnë miliarda nga karburantet fosile".

Guteresh apeloi deri te politikanët që të shtojnë përpjekjet për të hequr gradualisht këto burime të energjisë që ngrohin klimën. “Tranzicioni nga lëndët djegëse fosile në burimet e rinovueshme të energjisë po ndodh, por ne jemi me dekada prapa”, tha ai në fillim të takimit.

Shumë nga kombet më të varfra kanë të drejtë të zemërohen. Të zemëruar sepse po vuajnë më shumë nga kriza klimatike që nuk e shkaktuan. Të hidhëruar që financat e premtuara nuk u realizuan. Dhe të zemëruar që kostot e tyre të huamarrjes janë të larta. Ne kemi nevojë për transformim për të rindërtuar besimin", nënvizoi Sekretari i përgjithshëm i KB-së.

Pritet që në takim të flasin përfaqësues nga 34 vende që ndërmarrin veprime të fuqishme për ndryshimet klimatike, duke përfshirë Kanadanë, Pakistanin, Afrikën e Jugut dhe vendin ishull të Tuvalus, si dhe nga Bashkimi Evropian.

I pari  duhej të fliste presidenti brazilian Luis Inasio Lula da Silva, por u tërhoq për arsye shëndetësore. Ministri i mjedisit jetësor të Brazilit do të flasë më vonë sot.

Ndotësit më të mëdhenj të botës, SHBA-ja dhe Kina nuk u ftuan për fjalë, edhe pse përfaqësuesi special i SHBA-së për ndryshimet klimatike, Xhon Keri është mes të pranishmëve. Misioni kinez në KB është ende pa koment. qa/

Foto: KB

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR