Guteresh: Bota duhet të shpëtohet nga ngrohja globale
- Post By Arta Bunjaku
- 19:19, 17 nëntor, 2022
Kajro, 17 nëntor 2022 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh sot paralajmëroi se negociuesit në Samitin e klimës KOP27 në Egjipt duhet ta tejkalojnë "besimin e rrënuar" mes vendeve të pasura dhe të varfra në mënyrë që të arrijnë marrëveshje me të cilën do të shpëtohej bota nga ngrohja më e keqe globale.
"Ndodhemi në momentin kyç të negociatave. Bota vëzhgon dhe ka një porosi të thjeshtë: pozicionohuni dhe reflektoni", theksoi Guteresh.
Ai shtoi se emetimet globale janë në nivelin më të lartë në histori dhe se edhe më tej janë në rritje.
"E dimë çka duhet të bëhet dhe kemi vegla dhe resurse për ta bërë atë", theksoi Guteresh.
Një nga çështjet për të cilat ka mospajtime në Samitin KOP27 është nëse duhet të formohet foind për kompensim të shteteve të varfra nga ndryshimet klimatike. Shtetet e pasura, mes të cilave edhe SHBA-ja janë kundër formimit të një fondi të tillë.
Guteresh u bëri thirrje të gjitha vendeve të zhvilluara ta përmbushin premtimin me të cilin do të sigurohen 100 miliardë dollarë në vit për ndihmë shteteve të varfra që të adaptohen ndaj ndryshimeve klimatike dhe të kalojnë në energji të pastër.
Ai, gjithashtu, u bëri thirrje vendeve të bëjnë më shumë për uljen e emetimeve të dëmshme me qëllim që të arrihet qëllimi ndërkombëtar kushtuar samiteve të kaluara klimatike - të kufizohet ngrohja globale në 1,5 gradë Celsius, përfshirë edhe të kufizohet përdorimi i derivateve fosile. ab/