• e hënë, 23 dhjetor 2024

Grushko: Rreziku i incidenteve po rritet, po i kthehemi skemave nga Lufta e Ftohtë

Grushko: Rreziku i incidenteve po rritet, po i kthehemi skemave nga Lufta e Ftohtë

Bruksel/Moskë, 21 janar 2024 (MIA) - Dy ditë pasi komandanti suprem i NATO-s në Evropë, Krisftoher Kavoli, kumtoi se në fillim të javës së ardhshme do të fillojë "stërvitja më e madhe në dekadat e fundit" - "Mbrojtësi i palëkundur 2024" (Steadfast Defender 2024) në të cilën do të marrin pjesë rreth 90.000 ushtarë dhe që do të zgjasë për disa muaj, vijoi reagimi fillestar dhe shumë i mprehtë i Moskës zyrtare.

“Stërvitjet e NATO-s të një shkalle të tillë rrisin rrezikun e incidenteve ushtarake, por Rusia nuk mund të frikësohet nga demonstrime të tilla provokuese të forcës”, tha sot zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme Aleksandër Grushko.

Grushko tha për mediat ruse se çdo ngjarje e kësaj përmasash rrit ndjeshëm rrezikun e incidenteve ushtarake dhe destabilizon më tej situatën e sigurisë.

Sipas tij, interesat e sigurisë evropiane sot janë pak shqetësim për ata që drejtojnë NATO-n, sepse, siç tha ai, “gjëja kryesore për ta është të mbajnë këtë instrument në ndikim amerikan, në luftën tashmë të humbur për të ruajtur hegjemoninë perëndimore në botë".

Në të njëjtën kohë, diplomati theksoi se Rusia nuk mund të frikësohet nga këto demonstrata provokuese.

“Moska i ka të gjitha burimet për të garantuar sigurinë dhe aftësinë mbrojtëse”, tha zëvendës shefi i diplomacisë ruse.

Grushko beson se shkalla e stërvitjeve të NATO-s shënon kthimin përfundimtar dhe të pakthyeshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut në skemat e Luftës së Ftohtë që synojnë konfrontimin me Rusinë.

Grushko tha se përgatitjet për stërvitjet po zhvillohen në sfondin e një "situate të ndezur artificialisht të psikozës ushtarake" dhe u bëri thirrje evropianëve që të përgatiten për një luftë të mundshme me Rusinë.

"Qëllimi është i qartë: duke demonizuar Rusinë, duke frikësuar një person mesatar, të justifikohet rritja e pakufizuar e shpenzimeve ushtarake dhe politika plotësisht e dështuar e mbështetjes së regjimit në Kiev për t'i shkaktuar një disfatë strategjike Rusisë", tha Grusko. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR