• e diel, 22 dhjetor 2024

GRU ukrainase pretendon se një dron i tyre goditi një bazë ushtarake ruse në Krime, rusët rrëzuan një jashtë Moskës

GRU ukrainase pretendon se një dron i tyre goditi një bazë ushtarake ruse në Krime, rusët rrëzuan një jashtë Moskës

Moskë, 26 gusht 2023 (MIA) - Agjencia e inteligjencës ushtarake e Ukrainës (GRU) sot në mëngjes kumtoi se një dron ukrainas ka goditur një bazë ushtarake ruse në Krime gjatë natës, ndërsa banorët vendas pretendojnë se ka viktima, raportojnë mediat britanike.

Përfaqësues të GRU deklaruan se sulmi kishte në shënjestër dhe goditi Brigadën e 126-të të Mbrojtjes Bregdetare, me seli në qytetin Perevalnoje, më shumë se 200 kilometra nga territori i kontrolluar nga Kievi.

“Konfirmojmë se ka pasur një goditje”, ka thënë zëdhënësi i GRU-së Andrij Jusov për portalin Liga.Net, raportuar nga mediat britanike.

Banorët e Perevalnoje shkruajnë në Telegram se kanë dëgjuar shpërthime nga baza ushtarake dhe pretendojnë se ka viktima.

“Dy persona kanë vdekur në poligon, ndërsa njëri është transferuar në spital në gjendje të rëndë”, ka shkruar një prej përdoruesve të Telegramit, ndërsa një tjetër ka deklaruar se hyrja në qytet është e mbyllur.

Nga ana tjetër, mbrojtja ajrore ruse ka shkatërruar herët në mëngjes një dron ukrainas mbi Moskë, kumtoi Ministria ruse e Mbrojtjes.

Siç theksohet në kumtesën, droni u rrëzua mbi lagjen Istra të Moskës, njoftoi Tass.

Kryetari i Moskës, Sergej Sobjanin, konfirmoi në kanalin e tij Telegram se droni u rrëzua teksa po i afrohej qendrës së kryeqytetit rus dhe se askush nuk u lëndua në këtë incident.

Pas incidentit, tre aeroportet kryesore të Moskës Sheremetjevo, Domodedovo dhe Vnukovo pezulluan fluturimet. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR