• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Grifits: Nevojiten bisedime të reja për paqe në Sudan

Grifits: Nevojiten bisedime të reja për paqe në Sudan

Najrobi, 10 korrik 2023 (MIA) - Sudani është në luftë civile dhe botës i duhet një forum i ri për bisedime në kërkim të armëpushimit, deklaroi sot shefi për ndihmë humanitare  i Kombeve të Bashkuara, Martin Grifits, gjatë një takimi me liderët rajonalë në Etiopinë fqinje.

Pas dështimit të bisedimeve të paqes në Arabinë Saudite në qershor, Egjipti thotë se të enjten do të jetë nikoqir  i liderëve të vendeve fqinje të Sudanit në kërkim të paqes.

 "Nuk kemi një vend, një forum, ku janë të pranishme të dyja palët, ku mund t'i ndërmjetësojmë marrëveshjet bazë që na nevojiten për t'i lëvizur furnizimet dhe njerëzit", tha Grifits.

 Ai e quajti Sudanin vendin më të vështirë në botë për qasje deri te punonjësit humanitarë dhe paralajmëroi se kriza vetëm do të përkeqësohet  me përhapjen e luftimeve në zona të reja.

 “Duhet sërish ta krijojmë atmosferën që kishim për një kohë në Xheda, tha ai për bisedimet e mëparshme të ndërmjetësuara nga Arabia Saudite dhe SHBA-ja.

Konflikti i Sudanit shpërtheu në mes të prillit,  pas disa muajsh të tensioneve midis gjeneralit Abdel Fatah Burhan dhe rivalit të tij, gjeneralit Mohamed Hamdan Dagalo, komandant i Forcave Paraushtarake për Mbështetje të Shpejtë (RSF), shpërthyen në luftime të hapura.

Armata dhe RSF deri më tani kanë negociuar të paktën 10 armëpushime të përkohshme, por të gjitha dështuan. Riadi dhe Uashingtoni kanë akuzuar të dyja palët për mosrespektim të marrëveshjeve. ar/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR