Greqia dhe Italia do të investojnë mbi 700 milionë euro në hekurudhën greke
- Çështjet gjeopolitike, migrimi, siguria, energjia, kriza klimatike, por edhe marrëdhëniet dypalëshe, ishin temat që diskutuan kryeministrja italiane Xhorxhia Meloni dhe kryeministri grek Kirjakos Micotakis në takimin e tyre të sotëm në Romë, si dhe në takimin e dytë ndërqeveritar midis Greqisë dhe Italisë që u mbajt pas një ndërprerjeje prej tetë vitesh, ndërsa paralelisht u nënshkruan 14 marrëveshje dhe memorandume, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 19:08, 12 maj, 2025

Athinë, 12 maj 2025 (MIA) - Çështjet gjeopolitike, migrimi, siguria, energjia, kriza klimatike, por edhe marrëdhëniet dypalëshe, ishin temat që diskutuan kryeministrja italiane Xhorxhia Meloni dhe kryeministri grek Kirjakos Micotakis në takimin e tyre të sotëm në Romë, si dhe në takimin e dytë ndërqeveritar midis Greqisë dhe Italisë që u mbajt pas një ndërprerjeje prej tetë vitesh, ndërsa paralelisht u nënshkruan 14 marrëveshje dhe memorandume, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Ndër memorandumet që nënshkruan, njëri është për përmirësimin e lidhjes elektrike të dy vendeve, me qëllim trefishimin e kapacitetit ekzistues, ndërsa tjetri për investime në transportin hekurudhor, duke pasur parasysh se "Hellenic Train" grek i përket grupit shtetëror italian "Ferrovie dello Stato" dhe me të cilin Italia angazhohet të investojë 360 milionë euro për blerjen e gjithsej 23 trena, ndërsa Greqia do të investojë 400 milionë euro.
Marrëveshja vjen pas aksidentit hekurudhor në Tempi në fund të shkurtit të vitit 2023, në të cilin humbën jetën 57 persona.
"Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme, sepse nga njëra anë, Greqisë i është bërë thirrje të investojë mbi 400 milionë në një përmirësim të konsiderueshëm të rrjetit, në riparimin e dëmeve nga katastrofa e madhe klimatike, pra përmbytja e madhe që patëm vitin e kaluar, si dhe në instalimin e sistemeve të sigurisë së teknologjisë së fundit. Ndërsa pala italiane është e angazhuar të investojë 360 milionë euro në blerjen e trenave të rinj, depove të reja, në mënyrë që hekurudhat greke të arrijnë nivelin në të cilin janë hekurudhat italiane sot", tha Micotakisi.
Meloni, nga ana e saj, theksoi se kjo marrëveshje me Ministrinë Greke të Transportit "i jep një shtysë të re partneritetit strategjik".
Kryeministrat e të dy vendeve biseduan për situatën në Lindjen e Mesme, luftën në Ukrainë, politikën evropiane, por edhe çështjen e migrantëve, për të cilën Meloni tregoi se theksi do të vihej te bashkëpunimi në luftën kundër migracionit të paligjshëm, "çështje për të cilat ka shumë dakordësi me kryeministrin grek".
"Kemi për qëllim të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Kirjakosin për të ndryshuar të gjithë qasjen në Evropë. Kemi arritur ta zhvendosim fokusin në mbrojtjen e kufijve të jashtëm, luftën kundër kontrabandistëve dhe bashkëpunimin me vendet e tranzitit", theksoi Meloni.
Micotakisi, nga ana e tij, theksoi se "qeveria greke, e cila që nga viti 2020 lufton për të ndryshuar politikën evropiane të migracionit, ndoshta ka gjetur aleatin e tij më të fortë Xhorxhian".
Lidhur me Ukrainën, si kryeministrja italiane ashtu edhe kryeministri grek theksuan se kanë pikëpamje identike dhe mbështesin nevojën për një armëpushim 30-ditor pa kushte.
Foto: Kabineti i kryeministrit grek