• e premte, 05 dhjetor 2025

Golob: Sllovenia e gatshme të jetë nikoqire e bisedimeve paqësore midis Rusisë dhe Ukrainës

Golob: Sllovenia e gatshme të jetë nikoqire e bisedimeve paqësore midis Rusisë dhe Ukrainës

Lubjanë, 12 maj 2025 (MIA) - Kryeministri slloven Robert Golob deklaroi se Sllovenia do të ishte e nderuar nëse Rusia dhe Ukraina e pranojnë ftesën për bisedime paqësore ndërmjet dy vendeve në Lubjanë, publikoi televizioni slloven RTV.

Të shtunën, Golob mori pjesë në një video konferencë për Ukrainën e cila u mbajt pjesërisht drejtpërdrejt, ndërsa presidenti francez Emanuel Makron, kryeministri polak Donald Tusk, kryeministri britanik Kir Starmer dhe kancelari gjerman Fridrih Merc vizituan presidentin ukrainas Vollodimir Zelenski në Kiev. Disa nga bashkëbiseduesit morën pjesë nga distanca, duke përfshirë përfaqësues të disa vendeve, Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rute, kryetarin e Këshillit Evropian Antonio Koshta dhe kryetaren e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen.

"Videokonferenca e aleatëve për Ukrainën konfirmoi edhe një herë vullnetin e fuqishëm të përbashkët për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Që nga fillimi i luftës, Sllovenia ka qenë ndër ata që besojnë se rruga drejt paqes fillon me një hap të guximshëm - një armëpushim. Në vitin 2001, presidentët Bush dhe Putin u takuan këtu për herë të parë. Sllovenia do të ishte e nderuar nëse të dyja (palët), Ukraina dhe Rusia, do ta pranonin ftesën për të zhvilluar bisedime paqësore këtu - në frymën e angazhimit tonë të politikës së jashtme për paqen, të cilën e kemi jetuar që nga shpallja e pavarësisë sonë", ka shkruar qeveria sllovene në profilin e saj "X", duke cituar Robert Golobin.

Ata deklarojnë dhe se video konferenca e së shtunës është "një konfirmim i unitetit të aleatëve me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore" se Sllovenia i bashkohet konsensusit se duhet bërë gjithçka që është e mundur për të përfunduar një armëpushim të menjëhershëm dhe se ajo mbështet kërkesën që Rusia të përfundojë një marrëveshje për një armëpushim të pakushtëzuar 30 ditor.

"Presioni ndaj Rusisë për të pranuar një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte duhet të vazhdojë", thekson botimi.

Dje, presidenti rus Vlladimir Putin propozoi negociata të drejtpërdrejta me Ukrainën të cilat, sipas tij, duhet të mbahen më 15 maj në Stamboll, kujton RTV.

Putin tashmë e ka diskutuar këtë propozim me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan i cili konfirmoi se Turqia është e gatshme të presë bisedimet. Presidenti ukrainas Zelenski u përgjigj duke thënë se ata janë të gatshëm për negociata, por gjithashtu pret që Moska të angazhohet për një armëpushim 30-ditor duke filluar nga sot.

Megjithatë, dje Zelenski u duk se u dakordua të bisedonte me Putinin pa parakushte, ashtu siç kishte insistuar presidenti amerikan Donald Tramp. rq/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR