• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Golob: Ne duam që BeH të jetë aleati ynë më i madh, jo vetëm një vend mik

Golob: Ne duam që BeH të jetë aleati ynë më i madh, jo vetëm një vend mik

Sarajevë, 13 mars 2023 (MIA) – Kryeministri slloven Robert Golob tha sot në Sarajevë se vendi i tij dëshiron të jetë aleati më i madh i Bosnjë e Hercegovinës, jo vetëm vend mik.

“Në atë rrugë ne ofrojmë të gjithë ndihmën e mundshme – nga teknike, administrative, profesionale e deri tek ajo financiare”, tha Golob në një konferencë për shtyp pas takimit me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Kristo.

Ai shtoi se kohët e fundit ka pasur ndryshime në Slloveni, por edhe në Bruksel, qendrën e BE-së.

"Unë jam këtu sot sepse në Slloveni ndodhi një ndryshim i rëndësishëm, duke përfshirë edhe ndryshimin në politikën e jashtme. Parimi i solidaritetit dhe bashkëpunimit politik ndërmjet kombeve u intensifikua, sepse vetëm kështu do të arrijmë përparimin ekonomik të vendeve. E ku tjetër, nëse jo pikërisht në BeH, duhet të zbatohen këto parime", tha kryeministri slloven.

Sipas tij, Sllovenia e dëshiron atë për shkak të marrëdhënieve të saj ekonomike me Bosnje e Hercegovinën, duke shtuar se përpjekjet e tilla janë "logjike dhe nuk ka mesazhe të fshehura".

Duke folur për ndryshimet në Bruksel, ai tregoi se “shumë skeptikë dhe kundërshtarë të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, pas agresionit rus kundër Ukrainës, janë bërë më të hapur dhe më të përgatitur për këtë çështje”.

Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Kristo, falënderoi Golobin për gjithçka që Sllovenia bëri që Bosnja e Hercegovina të marrë statusin e kandidatit në BE. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR