Gjyqtarja e KB-së dënohet me më shumë se gjashtë vjet burg për detyrimin e një gruaje të punonte si skllave
- Një gjyqtare e Kombeve të Bashkuara është dënuar me gjashtë vjet e katër muaj burgim, pasi u shpall fajtore për detyrimin e një gruaje të re të punonte si skllave.
- Post By Sara Ademi
- 20:39, 2 maj, 2025
Londër, 2 maj 2025 (MIA) - Një gjyqtare e Kombeve të Bashkuara është dënuar me gjashtë vjet e katër muaj burgim, pasi u shpall fajtore për detyrimin e një gruaje të re të punonte si skllave.
Lidia Mugambe, 50 vjeçe, është shpallur fajtore për shfrytëzimin e "pozicionit të saj" ndaj një shtetase të Ugandës në "mënyrën më të rëndë" ndërsa studionte për drejtësi në Universitetin e Oksfordit.
Mugambe, e cila është gjithashtu gjyqtare në Gjykatën e Lartë të Ugandës, e pengoi gruan të kishte një punësim të përhershëm dhe e detyroi atë të punonte si shërbëtore e saj dhe të kujdesej për fëmijët, thanë prokurorët britanikë.
Gjyqtari Dejvid Fokston, duke i dhënë dënimin Mugambes në Gjykatën e Kurorës së Oksfordit, tha sot se ishte një "rast shumë i trishtueshëm", duke theksuar arritjet e saj ligjore, përfshirë punën e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Fokston shtoi se e pandehura "nuk tregoi absolutisht asnjë pendim" për sjelljen e saj dhe se ajo u përpoq ta "fajësonte me dhunë" viktimën për atë që ndodhi, raportoi DPA.
Në një deklaratë me shkrim, të lexuar në gjykatë nga prokurorja Karolin Hogi, viktima përshkroi se jetonte në "frikë pothuajse të vazhdueshme" për shkak të pozicionit të fuqishëm të Mugambes në Ugandë.
Gruaja e re, emri i së cilës nuk mund të bëhet i ditur për arsye ligjore, tha se "nuk mund të kthehet në Ugandë" nga frika se çfarë mund t'i ndodhë dhe shtoi se mund të mos e shohë më kurrë nënën e saj. sa/
foto: Fejsbuk