• e enjte, 12 dhjetor 2024

Gjyqtarët Ariton Ala dhe Danka Ristova anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor

Gjyqtarët Ariton Ala dhe Danka Ristova anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor

Shkup, 11 dhjetor 2024 (MIA) - Gjyqtarët Ariton Ala nga Gjykata e Apelit në Shkup dhe Danka Ristova nga Gjykata e Apelit Shtip janë anëtarët e rinj të Këshillit Gjyqësor, njoftoi sonte kryetari i Komisionit për zbatimin e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve, Subhi Jakupi, duke i shpallur rezultatet preliminare të zgjedhjeve të sotme që u zhvilluan nga ora 08:00 deri në 15:00 në vendvotimet në të gjitha gjykatat në mbarë vendin.

Komisioni sot zhvilloi zgjedhje për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve të zonës së apelit Shtip dhe një anëtari të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve të pjesëtatëve të komuniteteve, që është më shumë se 20 për qind e popullsisë në vend.

Siç ka bërë të ditur Jakupi, gjyqtari Ariton Ala ka qenë kandidati i vetëm në listën zgjedhore për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve të listës së posaçme të kandidatëve. Në regjistrin gjyqësor në nivel të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë regjistruar gjithsej 354 gjyqtarë-votues, nga të cilët të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 295 gjyqtarë. Numri i fletëvotimeve të pavlefshme është 42, ndërsa 59 fletëvotime të papërdorura.

"Kandidati Ariton Ala nga Gjykata e Apelit në Shkup, për shkak se ishte kandidati i vetëm, ka marrë 253 vota, që do të thotë se është zgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga radhët e gjyqtarëve nga lista e posaçme e kandidatëve nga Njësia zgjedhore e Republikës së Maqedonisë së Veriut", tha Jakupi.

Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit nga zona e apelit të Shtipit, Jakupi tha se ishin pesë kandidatë, ndërsa në regjistrin gjyqësor në nivel të zonës së apelit Shtip, si njësi zgjedhore janë regjistruar 40 gjyqtarë votues. Numri i përgjithshëm i gjyqtarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës është 39", shtoi Jakupi, ndërsa vetëm 1 fletëvotim ka mbetur e papërdorur.

Gjyqtarja Meri Giçeva nga Gjykata Themelore Shtip ka marrë një votë, kryetarët e Gjykatës Themelore Shtip dhe të Gjykatës së Apelit Shtip, Aco Tasev dhe Toni Delev nga tre vota, gjyqtarja e Gjykatës Themelore Shtip, Nevena Perica nga pesë vota, ndërsa gjyqtarja Danka Ristova nga Gjykata e Apelit Shtip ka marrë 27 vota.

"Anëtar i zgjedhur i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga radhët e gjyqtarëve nga lista e përgjithshme e kandidatëve nga rajoni i apelit Shtip është gjyqtarja Danka Ristova nga Gjykata e Apelit Shtip, e cila ka marrë gjithsej 27 vota", njoftoi Jakupi.

Siç ka sqaruar ai, çdo kandidat ka të drejtë të kundërshtojë brenda pesë orëve nga shpallja e rezultateve, nëse megjithatë nuk ka kundërshtime, atëherë pas 12 orësh shpallen rezultatet përfundimtare. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR