Gjykata Supreme e SHBA-së e kufizoi forcën e gjykatësve federalë që të bllokojnë vendime ekzekutive
- – Gjykata Supreme e SHBA-së, në të cilën dominojnë gjykatës me pikëpamje konservatore, dje siguroi fitore të rëndësishme për administratën e Trampit, duke e kufizuar forcën e gjykatësve në nivel kombëtar që t’i bllokojnë vendimet e pushtetit ekzekutiv të cilat i vlerësojnë si të jashtëligjshme.
- Post By Fitore Curri
- 10:22, 28 qershor, 2025
Uashington, 28 qershor 2025 (MIA) – Gjykata Supreme e SHBA-së, në të cilën dominojnë gjykatës me pikëpamje konservatore, dje siguroi fitore të rëndësishme për administratën e Trampit, duke e kufizuar forcën e gjykatësve në nivel kombëtar që t’i bllokojnë vendimet e pushtetit ekzekutiv të cilat i vlerësojnë si të jashtëligjshme.
Me gjashtë vota të konservatorëve kundër tre votave progresive, gjykata më e lartë amerikane arriti në përfundimin se vendimet me rëndësi kombëtare të marra nga gjyqtarët federalë "ka gjasa të tejkalojnë kompetencat që Kongresi u ka dhënë gjykatave federale".
“Kur një gjykatë arrin në përfundimin se pushteti ekzekutiv ka vepruar në mënyrë të paligjshme, përgjigjja e asaj gjykate nuk mund të jetë një përgjigje që tejkalon autoritetin e saj”, shkroi gjykatësja konservatore Ejmi Koni Baret në sqarimin e vendimit.
Gjykata nuk vendosi për kushtetutshmërinë e urdhrit ekzekutiv të presidentit Donald Tramp në lidhje me të drejtën e shtetësisë amerikane pas lindjes në territorin amerikan, që është në zemër të këtij konteksti.
Bëhet fjalë për pezullimin e atij dekreti presidencial, që ishte shpallur jokushtetues nga të gjitha gjykatat dhe gjykatat federale të apelit në atë rast.
Administrata e Trampit nuk kërkoi nga Gjykata Supreme që ta shfuqizojë pezullimin e urdhrit në këtë fazë, por ta kufizojë shtrirjen e tij vetëm në njerëz të cilët i janë drejtuar gjyqësorit.
Në vetë fillimin e mandatit të tij, Trampi e nënshkroi atë dekret për të drejtën e shtetësisë amerikane, një nga më të kritikuarit në mandatin e tij të ri, me qëllim që të shtypet migrimi i jashtëligjshëm.
Dekreti ka të bëjë me të drejtën automatike të shtetësisë amerikane të fëmijëve të lindur në SHBA, e garantuar me amendamentin e 14-të të Kushtetutës, që është në fuqi më shumë se 150 vjet.
Dekreti i ndalon qeverisë federale të japë pasaporta, vërtetime për shtetësi dhe dokumente të tjera fëmijëve nënat e të cilëve janë në SHBA jashtëligjshëm ose përkohësisht dhe baballarët e të cilëve nuk janë shtetas të SHBA-së ose banorë rezidentë në vend, gjegjësisht nuk kanë kartë të gjelbër.
Amendamenti i katërmbëdhjetë ishte miratuar në vitin 1868 pas luftës civile amerikane dhe heqjes së robërisë që të garantohen të drejtat e robërve të liruar dhe pasardhësve të tij.
Administratat e ardhshme amerikane, si republikane ashtu edhe demokrate, shpesh kanë shprehur zhgënjim me ato pezullime të përgjithshme që i lejuan një gjyqtari federal të bllokonte politikat e tyre për çështje me rëndësi kombëtare, të tilla si aborti, migracioni ose kreditë studentore.
Vendimi i Gjykatës Supreme do të ketë pasoja të mëdha për të gjitha veprimet kundër administratës së Trampit, si dhe për administratat e trashëgimtarëve të tij. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s