Gjykata italiane sërish e bllokoi vendimin e Melonit për ndalimin e emigrantëve në Shqipëri
- Gjykata në Romë sot sërish urdhëroi një grup migrantësh të ndaluar në kampet në Shqipëri që të transferohen në Itali, citojnë burime gjyqësore, si goditje e fundit ndaj planit të kryeministres Xhorxha Meloni për të luftuar imigracionin e paligjshëm përmes rrugës detare.
- Post By Sara Ademi
- 11:12, 1 shkurt, 2025
Romë, 1 shkurt 2025 (MIA) - Gjykata në Romë sot sërish urdhëroi një grup migrantësh të ndaluar në kampet në Shqipëri që të transferohen në Itali, citojnë burime gjyqësore, si goditje e fundit ndaj planit të kryeministres Xhorxha Meloni për të luftuar imigracionin e paligjshëm përmes rrugës detare.
Vendimi ka të bëjë me 43 emigrantë nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët u transferuan në Shqipëri këtë javë pasi u shpëtuan në Detin Mesdhe, në përpjekjen e fundit për të zbatuar një politikë, vlefshmëria e së cilës tashmë është vënë në pikëpyetje nga gjyqësori.
Qeveria e djathtë e Italisë ka ndërtuar dy objekte në Shqipëri për të mbajtur emigrantët ndërsa kërkesat e tyre për azil janë duke u përpunuar. Vendimi i fundit është hera e tretë që gjyqtarët urdhërojnë kthimin e emigrantëve në Itali që kur grupi i parë u dërgua në Shqipëri në tetorin e vitit të kaluar.
Partitë opozitare italiane e mirëpritën këtë vendim, i cili nuk i shkon në favor Melonit.
"Siç do të mendonte çdo njeri i arsyeshëm, një tjetër deportim i emigrantëve në Shqipëri ka dështuar", tha Nikolla Fratojani, përfaqësues i partisë Aleanca e Majtë e Gjelbër.
Dy burime thanë se gjyqtarët kishin vendosur ta referonin çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED). Ndërkohë, emigrantët do të transferohen në Itali, me shumë gjasa që sot, tha një nga burimet. sa/
foto: EPA