Gjykata federale e Apelit hedh poshtë kërkesën e Trampit për marrjen e statusit të mijëra emigrantëve
- Gjykata federale e Apelit në Boston të SHBA-së ka hedhur poshtë kërkesën e administratës së presidentit Donald Tramp për t'i lejuar të anulojë statusin e përkohshëm të migrimit legal të qindra mijëra kubanezëve, emigrantëve nga Haiti, Nikaragua dhe Venezuela që jetojnë në SHBA.
- Post By Fami Bajrami
- 08:07, 6 maj, 2025
Uashington, 6 maj 2025 (MIA) - Gjykata federale e Apelit në Boston të SHBA-së ka hedhur poshtë kërkesën e administratës së presidentit Donald Tramp për t'i lejuar të anulojë statusin e përkohshëm të migrimit legal të qindra mijëra kubanezëve, emigrantëve nga Haiti, Nikaragua dhe Venezuela që jetojnë në SHBA.
Gjykata në Boston ka refuzuar të anulojë vendimin e mëparshëm që bllokoi përpjekjen e Departamentit të sigurisë së brendshme për të shkurtuar periudhën dyvjeçare të statusit të përkohshëm të emigrantit legal ku rreth 400,000 njerëz i morën gjatë mandatit të ish presidentit Xho Bajden.
Kërkesa e administratës Tramp është vazhdim i përpjekjeve të presidentit për të ndaluar migracionin dhe për të rritur numrin e deportimeve, përfshirë ata që më parë u ishte dhënë e drejta për të jetuar dhe punuar në SHBA.
Administrata pretendon se ministrja për Siguri të brendshme, Kristi Noel ka pasur autorizim për të ndërprerë statusin e emigrantëve dhe se vendimi i gjykatës e detyron qeverinë amerikane të "ndalojë qindra mijëra të huaj në vend kundër vullnetit të tyre".
Vendimi është sjellë në një padi të ngritur nga mbrojtësit e të drejtave të emigrantëve ku kontestohet vendimi për ndërprerjen e disa programeve të epokës së Bajdenit që lejonin emigrantët të futen në SHBA.
Administrata tani mund të ftojë Gjykatën e lartë të ndërhyjë në zgjidhjen e çështjes.
foto: EPA