• e diel, 22 dhjetor 2024

Gjermania shënon 35 vjet nga rënia e Murit të Berlinit

Gjermania shënon 35 vjet nga rënia e Murit të Berlinit

Berlin, 9 nëntor 2024 (MIA) - Gjermania sot me disa festime nën emrin "Të ruajmë lirinë"  shënon 35 vjet nga rënia e Murit të Berlinit në momente kur në Ukrainë po luftohet dhe shumica druajnë se demokracia është sulmuar.

Kancelari Olaf Sholc, koalicioni i të cilit  në mënyrë dramatike u shpërbë këtë javë, sot deklaroi se idealet liberale të vitit 1989 "nuk janë diçka që ne mund ta marrim si të mirëqenë". 

"Historia jonë dhe bota përreth nesh e tregojnë këtë", tha Sholci, koalicioni qeverisës trepartiak i të cilit u shpërbë në ditën kur Donald Trampi u rizgjodh president, duke çuar në trazira politike dhe duke detyruar Gjermaninë në zgjedhje të reja. 

 Dita 9 nëntor e vitit 1989 festohet si datë kur diktatura e Gjermanisë Lindore i hapi kufijtë e saj drejt Perëndimit pas protestave paqësore masive disamujore, duke i hapur rrugën ribashkimit të Gjermanisë dhe rënies së komunizmit sovjetik.

 Pensionistja Juta Kruger (75) kujton ato ngjarje të rëndësishme dhe komentoi krizën politike që ndodhi në prag të përvjetorit: "Është turp që përkon kështu".

 "Por, megjithatë vërtet duhet të festojmë rënien e murit, tha ajo, duke e përshëndetur atë si një moment kur gjermano-lindorët mundën të udhëtonin dhe "liria erdhi në të gjithë Gjermaninë".

Presidenti Frank-Valter Shtajnmaer  sot do të hapë një ngjarje në "Memorialin e Murit të Berlinit", duke nderuar të paktën 140 njerëz të vrarë duke u përpjekur të ikin nga Republika Demokratike Gjermane (RDGJ) gjatë Luftës së Ftohtë. 

 Foto: EPA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR