Gjermania para zgjedhjeve: Ndryshimet politike që mund ta ndërrojnë kahen e vendit
- Kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholc dhe qeveria e tij përballen me mundësinë e shkarkimit nga funksioni javën e ardhshme, përderisa vendi shkon në zgjedhje në një fushatë të dominuar nga çështjet për Ukrainën, çmimet e energjisë dhe rritja e së djathtës ekstreme, shkruan sot “Skaj njuz”.
- Post By Fami Bajrami
- 12:59, 21 shkurt, 2025

Berlin, 21 shkurt 2025 (MIA) - Kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholc dhe qeveria e tij përballen me mundësinë e shkarkimit nga funksioni javën e ardhshme, përderisa vendi shkon në zgjedhje në një fushatë të dominuar nga çështjet për Ukrainën, çmimet e energjisë dhe rritja e së djathtës ekstreme, shkruan sot “Skaj njuz”.
Zgjedhjet po mbahen pasi koalicioni qeverisës tre partiak ra në ditën kur u konfirmua fitorja e Donald Trampit në zgjedhjet presidenciale në SHBA vitin e kaluar.
Kur janë zgjedhjet dhe kur do t'i dimë rezultatet?
Gjermanët do të votojnë të dielën, me 23 shkurt, ndërsa vendvotimet do të jenë të hapura deri në orën 18. Menjëherë pastaj do të publikohen rezultatet e anketave të para, përderisa pas numërimit të votave të para do të pasojnë projeksione më të sakta.
Rezultatet zyrtare preliminare zakonisht publikohen natën e zgjedhjeve, bazuar në të dhënat nga të gjitha vendvotimet.
Cilat janë partitë kryesore?
Gjermania ka dy parti kryesore centriste: Partinë Socialdemokrate (SPD) të Olaf Sholcit dhe konservatorët e opozitës, Unioni Kristiandemokrat (CDU) dhe partinë e tyre simotër bavareze, Unionin Kristiansocial (CSU).
Mbështetja për të dyja partitë ka rënë vitet e fundit, ndërsa partitë më të vogla si të Gjelbrit dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë kanë fituar popullaritet.
Në garën zgjedhore po marrin pjesë dhe të orientuar nga tregu Demokratët e Lirë (FDP), e majta ekstreme e Majta (Die Linke) dhe Aleanca e Sara Vagenkneht (BSV), parti e re e së majtës.
Cilët janë kandidatët kryesorë?
Olaf Sholc (66), lider i SPD-së, është kancelar aktual në Gjermani nga dhjetori i vitit 2021. Qeveria e tij u përball me kriza të shumta, duke përfshirë dhe pushtimin e Ukrainës, por popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm. Sipas anketave, ai pritet të mposhtet.
Fridrih Merc, (69), kandidati i konservatorëve është një politikan me përvojë i cili dikur u mposht nga Angela Merkel, por është kthyer në politikë me një premtim për t'u larguar nga linja qendrore e ish kancelares. Edhe pse ai hedh poshtë një koalicion me të djathtën ekstreme, mbështetja e tij për një propozim të AfD-së për migracionin ka shkaktuar polemika.
Alis Vajdel (46), liderja e AfD-së, drejton partinë me retorikë kundër krijimit, migrimit dhe Bashkimit Evropian. Ajo është një lidere jotipike për një parti të së djathtës ekstreme – homoseksuale e hapur, një ekonomiste me doktoraturë, me një partner nga Sri Lanka dhe një shtëpi në Zvicër.
Cilat janë temat kyçe në zgjedhje?
Ukraina mbetet një nga çështjet kryesore në politikën gjermane. Të gjitha partitë kryesore mbështesin ndihmën ushtarake dhe financiare për Kievin, por Sholc është më i kujdesshëm se konservatorët, të Gjelbrit dhe FDP-në. Ai deri më tani ka refuzuar të dërgojë raketa Taurus në Ukrainë, që partitë e tjera i mbështesin. Nga ana tjetër, AfD-ja kërkon ndalimin e plotë të dërgesave të armëve dhe ripërtëritjen e marrëdhënieve me Rusinë.
Ekonomia është një tjetër temë kyçe, veçanërisht çështja e reformimit të "frenimit të borxhit" në kushtetutën gjermane për të lejuar më shumë shpenzime publike.
Migrimi është gjithashtu faktor i rëndësishëm, veçanërisht pas një sërë sulmesh të dhunshme që përfshijnë të dyshuar të huaj. Si SPD ashtu edhe CDU kanë ashpërsuar retorikën e tyre për këtë çështje, përderisa AfD kërkon mbylljen e kufijve.
Si qëndrojnë partitë në anketa?
Sipas sondazhit të INSA të 8 shkurtit, CDU/CSU kryeson me 29 për qind, AfD me 21 për qind, ndërsa SPD me 16 për qind. Të Gjelbrit kanë 12 për qind mbështetje, ndërsa BSV është në 6 për qind. Edhe pse AfD shënon rritje, nuk ka gjasa të marrë pjesë në qeveri pasi partitë e tjera përjashtojnë mundësinë e një koalicioni me to.
Si ndahen mandatet në Bundestag?
Sistemi zgjedhor gjerman ndryshon nga ai britanik. Çdo votues ka dy vota – një për një kandidat në zonën e tij zgjedhore dhe një për një listë partiake.
Në Bundestag janë 630 vende të deputetëve, të cilat shpërndahen sipas përqindjes së votave të fituara nga partitë. Pas përcaktimit të numrit të mandateve që i përkasin secilës parti, deputetët zgjidhen sipas renditjes bazuar në rezultatet e zonave zgjedhore.
Përbërja e re e Bundestagut më pas zgjidhet nga kancelari me shumicë absolute. rq/
Foto: EPA