Gjenerali Zamir paralajmëron: Plani për pushtimin e Gazës do të çojë në një "qeveri ushtarake"
- Kryeshefi i Shtatmadhorisë së Forcave Mbrojtëse të Izraelit, gjeneral nënkoloneli Ejal Zamir, paralajmëron se plani për pushtimin e qytetit të Gazës do ta përfshijë Izraelin në një pushtim të plotë të enklavës palestineze.
- Post By Sara Ademi
- 17:08, 1 shtator, 2025
Tel Aviv, 1 shtator 2025 (MIA) - Kryeshefi i Shtatmadhorisë së Forcave Mbrojtëse të Izraelit, gjeneral nënkoloneli Ejal Zamir, paralajmëron se plani për pushtimin e qytetit të Gazës do ta përfshijë Izraelin në një pushtim të plotë të enklavës palestineze.
"Po shkoni drejt një qeverie ushtarake. Plani juaj po na çon atje. Kuptoni pasojat. Vendimi juaj për të pushtuar qytetin e Gazës do të çojë në pushtimin e kampeve të refugjatëve në Gazën qendrore dhe më pas do të jetë një qeveri ushtarake, sepse nuk do të ketë asnjë organ tjetër që mund të marrë përgjegjësinë për popullsinë", paralajmëroi Zamir në një takim të kabinetit mbi hapat e ardhshëm në luftën e Gazës, të mbajtur mbrëmë", raportoi Unet Njuz (Ynet News).
Sipas portalit izraelit, sekretari i kabinetit Josi Fuks, u përgjigj duke thënë se tashmë është marrë vendim se nuk do të ketë qeveri ushtarake në Gaza.
Ministri për siguri kombëtare Itamar Ben Gvir tha se në vend të qeverisë ushtarake duhet të inkurajohet "emigrimi vullnetar".
"Kuptoni implikimet", përsëriti Zamir, të cilit ministri i Financave Bezalel Smotriç iu përgjigj "ne kemi marrë një vendim".
Në atë moment, sipas Unet, Ben Gvir bëri thirrje për votim të marrëveshjes së pjesshme për pengjet për të dëshmuar se shumica e kabinetit është kundër tij.
Edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu refuzoi gjeneralin, duke thënë se nuk ka marrëveshje në tryezë dhe në mënyrë efikase duke hedhur poshtë marrëveshjen në faza për pengjet të propozuar nga ndërmjetësuesit, për të cilën Hamasi ra dakord në fillim të këtij muaji.
Izraeli njofton se do të shqyrtojë vetëm marrëveshjen gjithëpërfshirë në të cilin Hamasi do të dorëzojë armët dhe do t'i lirojë të gjitha pengjet. sa/
foto: MIA