• e enjte, 14 nëntor 2024

Gjenerali i ushtrisë së serbëve të Bosnjës përmes një letre pranon përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë

Gjenerali i ushtrisë së serbëve të Bosnjës përmes një letre pranon përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë

Sarajevë, 13 nëntor 2024 (MIA) - Ish gjenerali i armatës së serbëve të Bosnjës, Radisllav Kërstiq i cili ishte dënuar me 35 vjet burg nga ana e Tribunalit të Hagës për krime lufte, përfshirë edhe gjenocidin në Srebrenicë, kërkoi nga gjykata e Kombeve të Bashkuara ta publikojë letrën e tij në të cilën ai pranon përgjegjësinë për krimet e kryera dhe u shpreh se është penduar.

Në ueb faqen e Mekanizmit për Gjykatat penale ndërkombëtare (MIKT), pasardhës i Tribunalit ndërkombëtar për krime për ish Jugosllavinë (TNKJ), është publikuar një parashtresë në të cilën avokati i Kërstiqit, Vladimir Petroviq, ka parashtruar kërkesë për lirim të përkohshëm të klientit të tij dhe me këtë ka parashtruar edhe kërkesën e tij në gjykatë që letra pendimi të jetë publike.

Pasi kreu 26 vjet burgim, Kërstiq kërkoi fillimisht lirim të parakohshëm në vitin 2022, por MIKT e refuzoi. Një kërkesë e tillë përsëri u paraqit në janar, duke përmendur si arsye shëndetin e tij të çrregulluar por edhe gatishmërinë për të pranuar plotësisht përgjegjësinë për krimet për të cilat u dënua.

Avokati i tij në parashtresën e re në gjykatë tregon se MIKT tani duhet ta rishqyrtojë atë kërkesë, aq më tepër që Kërstiqi është gati të pranojë fajin dhe dëshiron të konfirmojë sinqeritetin e atij rrëfimi me një letër që do të jetë në dispozicion të publikut.

Kristiqi e dërgoi atë letër deri te MIKT më 18 qershor ku thekson se ishte i motivuar drejtpërdrejt nga rezoluta që dënon gjenocidin në Srebrenicë e cila në maj u miratua nga Asambleja e përgjithshme e KB-së, ndërsa në atë dokument emri i tij përmendet në mesin e atyre që janë përgjegjës për vrasjen e mijëra burrave dhe djemve boshnjakë. 

Kërstiqi i ka shkruar gjykatës se edhe vetë do të votonte për atë rezolutë nëse do të kishte të drejtë vote. 

"Emri im përmendet pasi ndihmova dhe e mbështeta gjenocidin, emri im përmendet sepse bëra krime të paimagjinueshme dhe të pafalshme", thuhet në letrën e Kërstiqit i cli në vitin 1995 ishte komandant i të ashtuquajturës Korpusi i Drinës i ushtrisë serbe të Bosnjës, anëtarët e të cilit morën pjesë drejtpërdrejt në vrasjen e banorëve të robëruar në Srebrenicë.

Kërstiq tha se çdo ditë i kujtohen njerëzit e pafajshëm të cilët u vranë dhe dëshiron me fjalët e tij t'i inkurajojë të tjerët që kurrë të mos lejojnë të përsëriten krime të ngjashme. qa/ 

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR