• e mërkurë, 20 nëntor 2024

GERB dhe NV ranë dakord të formojnë një qeveri koalicioni me një kryeministër me rotacion

GERB dhe NV ranë dakord të formojnë një qeveri koalicioni me një kryeministër me rotacion

Sofje, 22 maj 2023 (MIA) - Dy partitë më të mëdha politike të Bullgarisë, partia e qendrës së djathtë GERB dhe blloku properëndimor i udhëhequr nga "Ndryshimet vazhdojnë", ranë dakord sot të formojnë një qeveri koalicioni me një kryeministër "me rotacion", duke synuar t'i japin fund qor-sokakut politik në vend i cili ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Situata e pasigurt e ka detyruar këtë anëtare të BE-së të shtyjë datën e planifikuar për futjen e euros, ndërsa projektbuxheti për vitin 2023 ende nuk është miratuar. Kjo e pengoi Bullgarinë të tërheqë fondet e BE-së për rimëkëmbjen e vendit pas pandemisë.

Pritet që ish-ministri i Arsimit Nikollaj Denkov nga “Ndryshimet Vazhdojnë” të marrë mandatin për formimin e qeverisë dhe kryerjen e detyrave të kryeministrit për nëntë muajt e parë.

"Situata është jashtëzakonisht e vështirë, tha Denkov, transmeton në gjuhën angleze uebfaqja "Sofia Globe". “Pas pesë zgjedhjesh radhazi është e vështirë të formohet një qeveri e rregullt dhe ekziston rreziku real që të shkojmë në zgjedhjet e ardhshme pa rezultat të qartë.

Ish-komisionerja evropiane Maria Gabriel, anëtare e GERB, do të marrë postin e kryeministrit pas nëntë muajsh, sipas marrëveshjes.

Në zgjedhjet e 2 prillit, partia fituese ishte GERB, e cila fitoi 69 nga 240 vende në parlament, ndërsa blloku i udhëhequr nga partia “Ndryshimet Vazhdojnë” fitoi 64 vende.

Për të arritur zyrtarisht zbatimin e marrëveshjes së koalicionit, Gabriel sot ia ka kthyer mandatin presidentit Rumen Radev që e ka marrë për formimin e qeverisë më 15 maj dhe tani duhet t'ia ndajë Denkovit. Emrat e anëtarëve të qeverisë do t'i shpallë në ditët në vijim. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR