Gebrejesus i bëri thirrje Izraelit të tregojë "mëshirë" në luftën në Gazë
- Shefi i Organizatës botërore të shëndetësisë (OBSH), Tedros Adanom i bëri thirrje Izraelit të tregojë "mëshirë" në luftën në Gazë dhe insistoi se paqja është në interes të vetë Izraelit.
- Post By Arta Bunjaku
- 08:16, 23 maj, 2025
Gjenevë, 23 maj 2025 (MIA) - Shefi i Organizatës botërore të shëndetësisë (OBSH), Tedros Adanom i bëri thirrje Izraelit të tregojë "mëshirë" në luftën në Gazë dhe insistoi se paqja është në interes të vetë Izraelit.
Në fjalimin e djeshëm në asamblenë vjetore të OBSH-së, Gebrejesus tha se lufta e dëmton Izraelin dhe se nuk do të sjellë zgjidhje të përhershme.
"Mund të paramendoni se si vuajnë njerëzit. Me të vërtetë është e gabuar ushqimi të shfrytëzohet si armë. Është shumë e gabuar materialet mjekësore të përdoren si armë", theksoi ai.
Kombet e Bashkuara dje filluan me distribuimin e ndihmës me rreth 90 kamionë. Këto janë dërgesat e para të ndihmës në Gazë pasi që Izraeli më 2 mars vendosi bllokadë të plotë.
Gebrejesus tha se vetëm zgjidhja politike mund të sjellë paqe të vërtetë.
"Thirrja për paqe në të vërtetë është në interesin më të mirë të vetë Izraelit. Ndjej se lufta e dëmton vetë Izraelin dhe nuk do të sjellë zgjidhje të përhershme. Ju lutem, a mund të keni mëshirë? Kjo është mirë për ju dhe mirë për palestinezët. Kjo është mirë për njerëzimin", deklaroi ai.
Drejtori ekzekutiv i programit për situata urgjente shëndetësore të OBSH-së, Majkëll Rajan tha se 2,1 milionë njerëz në Gazë janë "në rrezik të drejtpërdrejtë nga vdekja".
"Duhet ta ndalim urinë, duhet t'i lirojmë të gjitha pengjet, duhet të sigurojmë furnizim dhe ta kthejmë sistemin shëndetësor në funksion", tha ai. "Si ish-peng, mund të them se të gjitha pengjet duhet të lirohen. Familjet e tyre po vuajnë", shtoi ai.
OBSH kumtoi se banorët e Gazës vuajnë nga mungesa akute e ushqimit, ujit, materialeve mjekësore, derivateve dhe strehimit. Katër spitale të mëdha duhej t'i ndërprenin shërbimet mjekësore javën e kaluar për shkak të konflikteve në afërsi apo zona për evakuim.
Vetëm 19 nga 36 spitalet në Rripin e Gazës janë operative, ndërsa personeli punon në "kushte të pamundura", ceket në deklaratën e agjencisë shëndetësore të KB-së. "Së paku 94 për qind e të gjitha spitaleve në Rripin e Gazës janë dëmtuar apo shkatërruar", ceket, përderisa Gaza veriore është "e privuar nga pothuajse e tërë mbrojtja shëndetësore".
Theksohet se në tërë territorin palestinez kanë mbetur të kapshëm vetëm 2.000 shtretër spitalorë - numër i cili është "skajshmërisht i pamjaftueshëm për përmbushje të nevojave momentale". "Shkatërrimi është sistematik. Spitalet po ripërtërihen dhe furnizohen, në mënyrë që t'u ekspozohen armiqësive dhe sulmeve të sërishme. Ky cikël destruktiv duhet të ndalojë", theksoi OBSH. ab/