Garanci të fuqishme të sigurisë nga Evropa dhe SHBA-ja - kusht për marrëveshje paqësore, theksoi Zelenski
- – Presidenti ukrainas, Volodomir Zelenski e theksoi rëndësinë e marrjes së garancive të sigurisë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rast të marrëveshjes së mundshme paqësore. Deklaratën e dha sot, gjatë vizitës së tij në Hagë.
- Post By Fitore Curri
- 19:22, 16 dhjetor, 2025
Hagë, 16 dhjetor 2025 (MIA) – Presidenti ukrainas, Volodomir Zelenski e theksoi rëndësinë e marrjes së garancive të sigurisë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rast të marrëveshjes së mundshme paqësore. Deklaratën e dha sot, gjatë vizitës së tij në Hagë.
Pas bisedimeve me ushtruesin e detyrës kryeministrin holandez, Dik Shof, Zelenski theksoi se Ukrainës i nevojiten “garanci juridike detyruese”.
“Ka shumë pyetje për atë si mund të marrim mbrojtje pa u bërë anëtare e NATO-s. Duhet të marrim mbështetje dhe për ne është me rëndësi t’i kemi të gjitha garancitë e sigurisë”, tha Zelenski.
Ai bëri të ditur se në bisedimet e djeshme në Berlin, pjesëmarrësit evropianë dhe amerikanë premtuan kontribut konkret drejt sigurisë së vendit. Megjithatë, ai nuk saktësoi cilat vende janë të gatshme të marrin pjesë në forcat e dakorduara shumëkombëtare të sigurisë.
Zelenski shtoi se dokumenti me këto detaje do të publikohet vetëm pas armëpushimit.
Presidenti i Ukrainës njoftoi se bisedimet tani do të vazhdojnë në qytetin amerikan Majami, ku pritet edhe Rusia ta japë përgjigjen e saj. Ai theksoi se nuk do të jetë i pranishëm në bisedime. fc/
Foto: DPA