• e mërkurë, 20 nëntor 2024

GAK do të diskutojë për samitin e ardhshëm të BE-së, në margjinat e takimit do të fillojnë negociatat e anëtarësimit me Moldavinë dhe Ukrainën

GAK do të diskutojë për samitin e ardhshëm të BE-së, në margjinat e takimit do të fillojnë negociatat e anëtarësimit me Moldavinë dhe Ukrainën

Bruksel, 25 qershor 2024 (MIA) – Përgatitjet për Samitin e ardhshëm të BE-së të planifikuar për 27 dhe 28 qershor, si dhe diskutimi i draft-konkluzioneve të këtij takimi të shefave të shteteve apo qeverive të anëtarëve të Unionit, do të jenë tema kryesore e seancës së sotme të Këshillit Evropian për Çështje të Përgjithshme (GAK), që do të mbahet në Luksemburg.

Temat kryesore të planifikuara për Samitin e BE-së janë situata në Ukrainë dhe në Lindjen e Afërt, çështje që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe konkurrencën, si dhe një diskutim për ciklin e ardhshëm institucional të Unionit, në kuadër të të cilit pritet të merret një vendim i bartësve të pozitava të larta drejtuese në bllok - kryetarët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, si dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri.

Në margjinat e takimit të ministrave dhe sekretarëve shtetërorë të ngarkuar për çështjen evropiane të BE-së, sot pasdite do të mbahen konferencat ndërqeveritare të Unionit me Moldavinë dhe Ukrainën, në të cilat duhet të miratohet kuadri negociues, i cili përcakton udhëzimet dhe parimet për negociatat e anëtarësimit, të cilat formalisht do të shënojnë fillimin e negociatave për anëtarësimin e dy vendeve në Union. 

Nga ana tjetër, për nesër në Bruksel është caktuar takim i Konferencës ndërqeveritare të BE-së me Malin e Zi në nivel ministror, ku do të bëhet kontroll i përparimit të vendit në përmbushjen e standardeve të përkohshme nga kapitujt për sundimin e ligjit - Kapitulli 23 për gjyqësorin dhe të drejtat themelore dhe Kapitulli 24 për drejtësi, liri dhe siguri, ndërsa do të diskutohet edhe për drejtimet për aktivitetet e ardhshme.

Ndryshe, në mbledhjen e sotme të GAK do të debatohet edhe për Direktivën për transparencën e përfaqësimit të interesave në emër të vendeve të treta, si dhe për rregullat e propozuara të BE-së për forcimin e demokracisë përmes promovimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, rritjes së transparencë në reklamat politike dhe forcimin e të drejtave zgjedhore.

Pjesëmarrësit në mbledhjen e GAK do të diskutojnë edhe për procedurën kundër Hungarisë bazuar në nenin 7 paragrafi 1 të Marrëveshjes të BE-së për shkak të dyshimeve për mosrespektim të vlerave themelore të Unionit që lidhen me sundimin e ligjit. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

  

QËNDRONI TË LIDHUR