Furnizimi me energji elektrike në Gadishullin Iberik është rikthyer gati plotësisht
- – Furnizimi me energji elektrike në Gadishullin Iberik është rikthyer gati plotësisht, njoftoi DPA. Operatori i rrjetit spanjoll REE njoftoi se prej orës 6 të mëngjesit, furnizimi me energji elektrike në vend është rikthyer në 99,16 për qind.
- Post By Fitore Curri
- 09:50, 29 prill, 2025

Madrid, 29 prill 2025 (MIA) – Furnizimi me energji elektrike në Gadishullin Iberik është rikthyer gati plotësisht, njoftoi DPA. Operatori i rrjetit spanjoll REE njoftoi se prej orës 6 të mëngjesit, furnizimi me energji elektrike në vend është rikthyer në 99,16 për qind.
Në Portugalinë fqinje, energjia elektrike është kthyer gjithashtu në shumicën e amvisërive, njoftoi televizioni portugez RTP, duke iu referuar operatorit të rrjetit portugez E-Redes. Rreth 95 për qind nga 6,5 milionë konsumatorë në vend përsëri kanë energji elektrike.
Miliona njerëz në Spanjë dhe Portugali dje mbetën në errësirë pas ndërprerjeve të energjisë elektrike – rrjetet e komunikimit ishin ndërprerë, semaforët e ndërprenë punën, ndërsa ashensorët ishin bllokuar.
Ndërprerja e madhe e energjisë elektrike që paralizoi Gadishullin Iberik dje u shkaktua nga një humbje e papritur prej 15 gigavatësh energji elektrike në rrjetin spanjoll në vetëm pesë sekonda, duke çuar në një defekt në ndërlidhësin midis rrjeteve të energjisë spanjolle dhe franceze. Sipas operatorit REE, rrjetet e energjisë elektrike evropiane nuk janë projektuar për t'i bërë ballë humbjeve të tilla të papritura, duke rezultuar në një kolaps të furnizimit me energji elektrike në Spanjë dhe pjesë të Portugalisë. fc/
Foto: DPA