FSR-ja konfirmon se ukrainasit kanë tentuar në Moskë ta vrasin mitropolitin Tihon, rrëfyes i Putinit
- Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSR) sot njoftoi se e ka penguar përpjekjen e shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase në Moskë për të vrarë Tihon Shevkunov, mitropolitin e Krimesë nga Kisha Ortodokse Ruse.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:28, 28 shkurt, 2025

Moskë, 28 shkurt 2025 (MIA) - Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSR) sot njoftoi se e ka penguar përpjekjen e shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase në Moskë për të vrarë Tihon Shevkunov, mitropolitin e Krimesë nga Kisha Ortodokse Ruse.
Mediat britanike raportojnë se aktualisht nuk ka reagim nga Kievi në këtë pretendim të shërbimit të sigurisë ruse.
Shevkunov, i cili me vite në mediat ruse është përshkruar si "rrëfyes i Putinit" - që ai as nuk e ka konfirmuar, as nuk e ka demantuar - është parë publikisht me presidentin rus Vladimir Putin që nga fundi i viteve 1990-të. Kremlini më parë njoftoi se Shevkunov dhe Putini njihen mirë.
Në vitin 2023, ai u emërua Mitropoliti i Krimesë, duke u bërë një nga zyrtarët më të lartë të Kishës Ortodokse Ruse në gadishull, që Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.
FSR-ja në njoftim theksoi se kanë arrestuar një rus dhe një ukrainas lidhur me komplotin dhe se është sekuestruar një mjet shpërthyes i improvizuar. Ata shtojnë se dy të dyshuarit kanë pranuar planin për atentat.
Ata shtuan se dy burrat, të cilët pretendojnë se janë rekrutuar nga Ukraina përmes aplikacionit Telegram, kanë planifikuar tentimin për atentat nga mesi i vitit 2024 dhe kanë pasur për qëllim ta vrasin Shevkunovin në Moskë.
Ukraina e mori përgjegjësinë për një sërë atentatesh në Rusi që nga fillimi i luftës në vitin 2022, përfshirë edhe blogerin ukrainas pro-rus Vladlen Tatarski në prill të vitit 2023 dhe shefin e forcave të mbrojtjes bërthamore, biologjike dhe kimike të Rusisë, Igor Kirilov, në dhjetor të vitit 2024. qa/
Foto: EPA