“Fronti Europian” hap shtabin zgjedhor në Likovë, Osmani: Misioni i presidentit të parë shqiptar është pjesë e mozaikut të madh të lirisë
- Në Likovë mbrëmë u hap Shtabi zgjedhor i Frontit Europian, ku i pranishëm ishte edhe kandidati për president Bujar Osmani, bartës i listës së kandidatëve për deputet në zonën e 2-të zgjedhore, Sadulla Duraku, kandidatët për deputetë Skender Rexhepi Zejd, Elmi Aziri, Bastri Bajrami, ministrat Kreshnik Bekteshi dhe Jeton Shaqiri, si dhe deputeti Arbër Ademi.
- Post By Besnik Shuki
- 09:17, 5 prill, 2024
Likovë, 5 prill 2024 (MIA) - Në Likovë mbrëmë u hap Shtabi zgjedhor i Frontit Europian, ku i pranishëm ishte edhe kandidati për president Bujar Osmani, bartës i listës së kandidatëve për deputet në zonën e 2-të zgjedhore, Sadulla Duraku, kandidatët për deputetë Skender Rexhepi Zejd, Elmi Aziri, Bastri Bajrami, ministrat Kreshnik Bekteshi dhe Jeton Shaqiri, si dhe deputeti Arbër Ademi.
“Nga Likova ka nisur dhe është zhvilluar përpjekja më e madhe për liri dhe barazi. Misioni i presidentit të parë shqiptar është pjesë e mozaikut të madh të lirisë, barazisë dhe fuqizimit të popujve këtu në Maqedoninë e Veriut. Këto nuk janë zgjedhje të rëndomta. Unë e di që ne politikanët e kemi zakon të themi se këto zgjedhje janë historike, por sinqerisht e them si vëllai juaj se këto zgjedhje nuk janë të rëndomta. Nga informacionet që i kam si ministër i jashtëm, nga kontaktet dhe qasjen që kam në diplomaci janë se në këto zgjedhje do të përcaktohet fati i të ardhmes së vendit tonë, të së ardhmes të secilit prej jush, secilit qytetarë të vendit tonë”, tha Osmani.
Ai theksoi se vendi ndodhet në një udhëkryq historik, në udhëkryq që ndodhen dy rrugë, ose do të përcaktojmë rrugën e të ardhmes së ndritshme europiane, ose do të zgjedhim rrugën e izolimit.
“Këto zgjedhje është bardh e zi. Prej secilit prej neve varet se çfarë drejtimi do të merr vendi jonë. Është bërë aq shumë këto vite, është transformuar shumë roli I shqiptarëve. Ju e dini si ka qenë fati jonë. Unë e kam kaluar vet me familje atë fat! Ju e keni kaluar vet! Kemi qenë popull i nënshtruar, i përjashtuar, margjinalizuar, jashtë institucioneve, jashtë universiteteve, dinjiteti i të cilëve ishte shkelur. Shqiptari atë e ka më të vështire ti shkelet dinjiteti prej çdo kujt. Dhe ne arritëm, bashkë të gjithë, ta institucionalizojmë dinjitetin e kombit tonë. Dhe nga popull i përjashtuar të bëhemi popull që ka kryeministër. Ky mision nuk është i përmbyllur pa e bërë edhe presidentin e parë shqiptar, për shkak se është simboli i barazisë, simboli i misionit të madh - se ne nuk jemi qiraxhinj në këtë shtet, po Zot”, u shpreh Osmani.
Ndërkaq, Sadulla Duraku në fjalën e tij tha se “Fronti Europian” nuk është bërë rastësisht, është vazhdimësi e patriotëve dhe veprimtarëve dhe UÇK-së.
“Fronti Europian ka nxjerrë para jush një djalë i cili është një diplomat i shkëlqyer. Shqiptarët pak kanë pasur kalibër të këtij diplomati, e ky është Bujar Osmani – doktori jonë i nderuar. Bujarin e njoh shumë herët, kemi pasur edhe përplasje në ide, shumë herë nuk jemi pajtuar, por Bujari është ambicioz, punëtor, vizionar dhe din të lexon mirë, lexon mirë vizionarin Ali Ahmeti. Andaj Bujar të urojë suksese”, theksoi Duraku.
Skender Rexhepi Zejd tha se shqiptarët kanë përgjegjësi, shqiptari di të qeverisë ministrinë, Qeverinë, Kuvendin.
“Padyshim se shqiptarët dinë shumë mirë të udhëheqin edhe presidencën. Fitoret tona fillojnë sot, por do mbarojnë me 9 maj në ditën kur do ti gëzohemi dyja fitoreve”, the Zejd.
Elmi Aziri me ktë rast shtoi se trajektorja dhe i gjithë potenciali i shqiptarëve duhet të jenë të orientuar kah Perëndimi.
“Ky masivitet është gatishmëri e qytetarëve për ta përkrahur iniciativën e ‘Frontit Europian’ për t’i bashkuar shqiptarët për ta çuar në vend amanetin e shekullor, amanet i cili ka dalë nga gjitha platformat kombëtare të pastra se: ‘Dielli për shqiptarët lind në Perëndim’. Do të shfrytëzojë këtë rast për të shprehur një mirënjohje edhe ndaj kryetarit Ali Ahmeti, ndaj kryetarit Ziadin Sela, edhe ndaj kandidatit për president Bujar Osmani që tejkaluan vetveten dhe arritën të dëshmojnë gatishmërinë e shqiptarëve në tërësi që të shërbejnë si gravitet ku do ti lidhin e potencialet kadrovike edhe të etnive tjera. Kjo është dëshmia më e mirë se shqiptarët vazhdimisht kanë thënë se kusht për shtet multi-etnike është kohezioni ndër-etnik dhe ja që erdhi koha që ne sot po e dëshmojmë edhe në praktik dhe vepër”, tha Aziri.
Bastri Bajrami në fjalën e tij thesksoi se pikënisja e fitoreve të “Frontit Europian” është nga këtu, nga Likova.
“Uroj që të gjithë së bashku siç e kemi filluar këtë Front Europian dhe të kemi fitoren këtu dhe në gjithë Maqedoninë e Veriut”, tha Bajrami.
Mirsad Ibrahimi informoi se shtabi komunal funksionon me katër dikasterë, 14 shtabe lokale dhe mbi 700 aktivistë.
“Fronti Europian ka dallim nga çdo front tjetër, sepse ne nuk merremi me të kaluarën, po merremi me të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve tona. Bujar Osmani u’a garantoj se foleja këtu çdo herë ka qenë fole e çlirimtarëve, fole e fitimtarëve dhe fole e aktivistëve të cilët çdo herë kanë ngadhënjyer me fitore të mëdha”, tha Ibrahimi. bsh/