• e diel, 22 dhjetor 2024

Fronteks: Nivel rekord i kalimeve ilegale të kufijve të BE-së

Fronteks: Nivel rekord i kalimeve ilegale të kufijve të BE-së

Varshavë, 11 gusht 2023 (MIA) - Në shtatë muajt e parë të vitit janë shënuar nivele rekord të kalimeve ilegale të kufijve të BE-së, njofton DPA, duke u thirrur në Agjencinë evropiane të rojës kufitare dhe bregdetare (Fronteks).

Sipas të dhënave të agjencisë, ka pasur madje 176.100 përpjekje për të kaluar kufijtë e Unionit. Kjo është shifra më e lartë e raportuar për këtë periudhë që nga viti 2016 dhe paraqet rritje prej 13 për qind. Kështu, vetëm në korrik, ka pasur 42.700 përpjekje për kalim, që paraqet rritje prej 19 për qind krahasuar me muajin korrik 2022, bën të ditur agjencia.

Sipas të dhënave, më shumë se gjysma e përpjekjeve, ose 89.047, kanë qenë përmes rrugës qendrore të Mesdheut – për shembull nga Libia dhe Tunizia, nëpërmjet Sicilisë dhe Maltës. Përgjatë kësaj rruge është rritur dyfish numri i tentativave të kalimeve të paligjshme në shtatë muajt e parë të vitit.

Megjithatë, Fronteksi vëren se rruga përtej Detit Mesdhe edhe më tej mbetet e rrezikshme dhe në shtatë muajt e parë të vitit janë zhdukur më shumë se 2.060 emigrantë.

Agjencia vëren rënie në përpjekjet për të kaluar rrugën përmes Ballkanit Perëndimor i cili është i dyti më i popullarizuari. Aty janë regjistruar mbi 52.200 kalime që paraqet rënie prej 26 për qind dhe kryesisht është për shkak të politikës më të rreptë të vizave.

Ndërsa, përgjatë të gjitha rrugëve të tjera është raportuar gjithashtu rënie në përpjekjet e kalimeve të paligjshme, shton Fronteksi.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR