Fridrih Merc sot duhet të zgjidhet kancelar i ri i Gjermanisë
- Kryetari i Unionit Kristian -demokrat të Gjermanisë (CDU), Fridrih Merc sot duhet të zgjidhet për kancelar të ri të Gjermanisë.
- Post By Fami Bajrami
- 08:38, 6 maj, 2025
Berlin, 6 maj 2025 (MIA) - Kryetari i Unionit Kristian -demokrat të Gjermanisë (CDU), Fridrih Merc sot duhet të zgjidhet për kancelar të ri të Gjermanisë.
Pritet që deputetët ta mbështesin Mercin si kancelar në një votim në Dhomën e ulët të Parlamentit, pasi konservatorët e tij nga CDU/CSU të cilët fituan zgjedhjet federale në shkurt, arritën marrëveshje koalicionimi me Socialdemokratët.
Për t’u zgjedhur, Merci do të duhet që në raundin e parë të marrë votat e shumicës për kancelar, të paktën 316 vota.
Merci mori pushtetin pasi në nëntor të vitit të kaluar ra koalicioni trepalësh i kancelarit në largim, Olaf Sholc.
Marrëveshja e koalicionit të Gjermanisë parashikon plan për të ringjallur ekonominë, të tilla si ulja e taksave të korporatave dhe ulja e çmimeve të energjisë elektrike. Koalicioni premton gjithashtu mbështetje të fuqishme për Ukrainën dhe fonde më të mëdha për ushtrinë.
Edhe pse Merci është një politikan veteran që e filloi karrierën e tij si eurodeputet në vitet 1980, ai nuk ka ushtruar kurrë poste qeveritare. Pasi në vitin 2002 humbi betejën e tij politike kundër ish kancelares Angela Merkel, Merci kaloi më shumë se një dekadë në sektorin privat përpara se të kthehej në krye të skenës politike. Si një avokat i pasur katolik nga Gjermania Perëndimore i cili për katër vite ishte kryetar i degës gjermane "BlackRock", mediat transmetojnë se ai mban pikëpamje të kundërta me Merkelin e cila e udhëhoqi Gjermaninë për 16 vjet. Ndërsa Merkeli i zhvendosi konservatorët drejt qendrës, Merci është një liberal ekonomik që e tërhoqi bllokun djathtas. Mbështetja për Mercin thekson faktin se ai siguroi një pako fiskale historike për të rritur investimet në infrastrukturë dhe mbrojtje, madje edhe para se të marrë detyrën si kancelar.
Duke pasur parasysh se Alternativa për Gjermaninë (AfD) kryeson në disa sondazhe të fundit, sfida kryesore e qeverisë së re do të jetë kthimi i besimit dhe sigurisë në qendrën politike të Gjermanisë, thonë analistët.
"Nëse kjo qeveri dështon, AfD do të fitojë edhe më shumë mbështetje në zgjedhjet e ardhshme dhe mund të bëhet pjesë e çdo qeverie të mëvonshme", tha shefi i institucionit financiar ndërkombëtar ING (Internationale Nederlanden Groep), Karsten Bzheski.
Foto: arkivi i MIA-s