• e shtunë, 14 dhjetor 2024

Franca mbështet “Planin e fitores” së Zelenskit

Franca mbështet “Planin e fitores” së Zelenskit

Kiev, 19 tetor 2024 (MIA) - Ministri për Punë të Jashtme të Francës, Zhan-Noel Baro ka mbështetur planin e Ukrainës për t'i dhënë fund luftës me Rusinë, duke thënë sot në Kiev se do të punojë me autoritetet ukrainase për të siguruar mbështetje nga vendet e tjera për propozimin.

I ashtuquajturi "Plani i fitores" që presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e zbardhi për publikun në fillim të kësaj jave parashikon një element kyç - ftesën zyrtare të Ukrainës në NATO, të cilën Perëndimi nuk dëshiron ta marrë në konsideratë derisa të përfundojë lufta.

Propozimi për momentin po shqyrtohet nga partnerët perëndimor të Ukrainës, ndihmë që është jetike për Kievin për t'iu kundërvënë Rusisë.

"Një fitore ruse do të ishte fitore për të drejtën e të fortëve dhe do ta çonte rendin ndërkombëtar në kaos", tha Baro në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegun e tij ukrainas, Andrij Sibih.

“Prandaj bashkëpunimi ynë duhet të na mundësojë të avancojmë në planin e fitores së presidentit Zelenski dhe të mbledhim sa më shumë vende rreth tij”, tha ministri francez.

Baro tha gjithashtu se Franca do të dorëzojë grupin e parë të aeroplanëve luftarak Mirazh 2000 në Ukrainë në tre muajt e parë të vitit 2025, me pilotë dhe mekanikë ukrainas të trajnuar për të fluturuar dhe mirëmbajtur aeroplanin.

Nga invazioni në vitin 2022, Franca është një nga mbështetësit më të spikatur ushtarak, diplomatik dhe ekonomik të Ukrainës në Evropë.

foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR