• e enjte, 04 dhjetor 2025

Franca ka përshëndetur nënshkrimin e Marrëveshjes për tunelin hekurudhor ndërkufitar të Korridorit 8

Franca ka përshëndetur nënshkrimin e Marrëveshjes për tunelin hekurudhor ndërkufitar të Korridorit 8

Shkup, 7 nëntor 2025 (MIA) - Franca ka përshëndetur nënshkrimin e Marrëveshjes për tunelin hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8 midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që dje në Gjueshevë u bë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Komunikacionit bullgar, Grozdan Karaxhov, në prani të përfaqësuesve të Komisionit Evropian, NATO-s dhe bankave kreditore të projektit për lidhjen hekurudhore të dy vendeve. 

Zëdhënësi i Ministrisë franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, Paskal Konfavre, në një deklaratë të cilën e dha dje, ndërsa sot ka informuar Ambasada franceze në Shkup, theksoi se ky nënshkrim dëshmon për angazhimin e të dy vendeve për integrimin rajonal dhe sigurinë në Ballkan. 

Ai shtoi dhe se kjo marrëveshje dëshmon dhe për aftësinë e, siç tha, "dy aleatëve tanë për të gjetur rrugën e një dialogu konfidencial dhe të frytshëm, që Franca e mbështet plotësisht, veçanërisht në perspektivën e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian". 

Maqedonia dhe Bullgaria u obliguan në aktivitetet për ndërtimin e tunelit hekurudhor në Korridorin 8 me nënshkrimin e djeshëm të Marrëveshjes. 

Gjatësia e projektuar e tunelit është rreth 2,4 kilometra, 1.189,30 metra në territorin e Maqedonisë, ndërsa 1.193,70 metra në territorin e Bullgarisë. 

Nikolloski dhe Grozdanov dje theksuan rëndësinë e lidhjes, ndërsa përfaqësuesit e Komisionit Evropian shprehën kënaqësi që të dyja palët po e përmbushin marrëveshjen nga takimi i korrikut në Bruksel për fillimin e projektit, por potencuan se presin realizimin në kohë.  

Zëvendëskryeministri Nikolloski premtoi përkushtim dhe punë të palodhur për lidhjen hekurudhore nga pala e Maqedonisë, për të cilën tha se do të kushtojë 810 milionë euro. Nga tre seksionet e planifikuara, e para është gati, e dyta është në ndërtim, ndërsa për të tretin, paralajmëroi se muajin tjetër do të shpallet një tender për kontraktor. 

Nënshkrimi i Marrëveshjes u përshëndet edhe nga BE-ja. Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, në rrjetin Iks shkroi se ndërtimi i hekurudhës është një nxitje për zhvillimin rajonal dhe përforcimin e sigurisë rajonale. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR