Franca bllokoi dy kapituj në negociatat e Malit të Zi me BE-në
- Franca e bllokoi mbylljen e dy kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, por pritet që Podgorica të mbyllë tre kapituj javën e ardhshme, konfirmuan burime diplomatike pas takimit të përfaqësuesve të përhershëm të shteteve anëtare të BE-së në Bruksel.
Bruksel, 12 dhjetor 2025 (MIA) - Franca e bllokoi mbylljen e dy kapitujve në negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, por pritet që Podgorica të mbyllë tre kapituj javën e ardhshme, konfirmuan burime diplomatike pas takimit të përfaqësuesve të përhershëm të shteteve anëtare të BE-së në Bruksel.
Sipas burimeve të TVCG, Mali i Zi duhet të mbyllë kapitujt për të drejtën e themelimit të kompanive dhe lirinë e ofrimit të shërbimeve (3), lirinë e lëvizjes së kapitalit (4) dhe të drejtën tregtare (6). Konferenca ndërqeveritare është planifikuar më 16 dhjetor, para fillimit të seancës së Këshillit të ministrave për çështje të përgjithshme të Bashkimit Evropian.
Franca kundërshtoi mbylljen e kapitujve për bujqësi dhe zhvillim rural (11) dhe peshkim (13), për të cilën arsye këta kapituj mbeten të hapur pas raundit të fundit të konsultimeve.
Burime diplomatike tregojnë se përfaqësuesit e përhershëm të shteteve-anëtare përsëri do të takohen gjatë fundjavës, gjë që mund të ofrojë një mundësi shtesë për të diskutuar mbylljen e disa kapitujve të tjerë para konferencës ndërqeveritare.
Mali i Zi zyrtarisht filloi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 29 qershor të vitit 2012, pasi mori statusin e kandidatit në vitin 2010. Që atëherë, ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht disa prej tyre. qa/
Foto: Arkivi i EPA-s