• e hënë, 23 dhjetor 2024

Francë: Grevë e re masive kundër reformave pensionale

Francë: Grevë e re masive kundër reformave pensionale

Paris, 6 mars 2023 (MIA)- Franca po përgatitet edhe për një grevë tjetër masive nesër kundër reformës së pensioneve të presidentit Emanuel Makron, pasi sindikatat njoftuan unanimisht se do të "paralizojnë" vendin me greva dhe demonstrata të tjera të ndryshme.

"U bëj thirrje të gjithë punonjësve të shtetit, qytetarëve, pensionistëve që t'i përgjigjen masivisht thirrjes për protestë të martën. Presidenti i Republikës nuk mund të mbetet i shurdhër", tha sekretari i përgjithshëm i sindikatës reformuese CFDT, Loran Berger. 

Kjo është hera e gjashtë që prej 19 janarit ku njerëzit dalin masivisht për të protestuar kundër reformës së propozuar të pensioneve qëllimi i së cilës është zhvendosja e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç dhe zgjatja e kohës për pagesën e kontributeve të nevojshme për të përfituar pension të plotë.

Qeveria pohon se ndryshimet janë të nevojshme që sistemi francez i pensioneve të dalë nga deficiti deri në vitin 2030.

Prej javësh tashmë sindikatat kanë ushtruar presion dhe i kanë paralajmëruar francezët që të përgatiten për të jetuar 24 orë në një vend ku gjithçka do të "ndalojë".

Mësimdhënësit, makineritë, punonjësit e sektorit energjetik, punonjësit industrialë dhe shumë të tjerë pritet t'i bashkohen grevës së nesërme.

Sindikatat besojnë se më shumë persona do të protestojnë nesër se sa më 31 janar, ku sipas policisë në rrugë dolën 1.27 milionë njerëz, ndërsa sipas sindikatës 2.5 milionë. 

Qeveria u bëri thirrje punonjësve të transferohen me punë nga shtëpia.

Sipas Qeverisë, reforma në sistemin pensional do të sillte 17.7 miliardë euro shtesë kontribute pensionale në vit, ndërsa sindikatat përgjigjen se ka mënyra të tjera për të rritur të ardhurat, si për shembull taksimi i super të pasurve.

Ndërkohë, Makron bën thirrje për “mendje të shëndoshë”. Ai pranon se “askush nuk dëshiron të punojë më gjatë, por duke qenë se po jetojmë më gjatë, duhet të punojmë më gjatë nëse duam të ruajmë sistemin e solidaritetit ndër breza”. qa/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR